Fitorja e Spanjës ndaj Uruguait ka sjellë edhe dy lajme të këqija për trajnerin Luis de la Fuente. Yeremy Pino ka pësuar një dëmtim në klavikulë dhe, sipas trajnerit, gjithçka tregon se ai do të humbasë pjesën e mbetur të Kupës së Botës.
Shqetësues është edhe rasti i Nico Williams, i cili u largua nga fusha pas shqetësimeve në zonën e ijëve. Sulmuesi i Athletic Bilbao do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, ndërsa burime pranë Federatës Spanjolle të Futbollit bëjnë të ditur se vlerësimet e para nuk janë optimiste.
Williams ishte rikthyer së fundmi pas një periudhe të vështirë të shoqëruar me dëmtime dhe probleme me pubalgjinë. Stafi teknik kishte vendosur ta aktivizonte me kujdes për të shmangur një dëmtim të ri, por ai sërish u detyrua të largohej nga fusha.
Nëse dëmtimi i tij konfirmohet serioz, De la Fuente mund të mbetet pa dy sulmues krahu për fazën eliminatore të turneut, ndërsa shpresat tashmë janë te rikuperimi i Victor Munoz, i cili gjithashtu po kalon një problem fizik dhe vazhdon të stërvitet i diferencuar nga grupi.