Rritja e pagave në tremujorin e parë u zbeh nga rritja e taksave dhe inflacionit. Të ardhurat e disponueshme të familjeve në Mbretërinë e Bashkuar ranë me ritmin më të shpejtë që nga viti 2023 gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që edhe norma e kursimeve u ul për herë të parë pas dy vitesh, një zhvillim që mund të rrezikojë një nga objektivat kryesorë ekonomikë të Partisë Laburiste.
Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS) konfirmoi sot se ekonomia britanike u rrit me një ritëm të shpejtë prej 0.7 % në tremujorin e parë, performanca më e mirë që nga i njëjti tremujor i vitit 2024. Megjithatë, shifrat e detajuara treguan se rritja e pagave u neutralizua nga rritja e taksave dhe një kërcim i inflacionit.
Të ardhurat reale të disponueshme për frymë, shuma e të ardhurave që i mbetet një familjeje pas tatimeve dhe subvencioneve, e përshtatur për inflacionin, ranë me 1 % në tremujorin e parë, pas një rritjeje prej 1.8 % në tre muajt pararendës. Kjo përbën rënien më të theksuar që nga tremujori i parë 2023.
Vitin e kaluar, kryeministri Keir Starmer deklaroi se si “pikë referimi” të suksesit të politikave të saj ekonomike, qeveria do të kishte pikërisht nivelin e të ardhurave të disponueshme të familjeve. Matt Swannell, këshilltar kryesor ekonomik i EY ITEM Club, tha se me ngadalësimin e rritjes së pagave e me pritshmëritë për rritje të inflacionit, rritja e të ardhurave reale “pritet të ngadalësohet gjatë pjesës së mbetur të vitit”.
Megjithatë, theksoi se me familjet që po kursejnë disi më pak, “ekziston hapësirë që konsumi të mbrohet nga ky ngadalësim”. Pjesa e të ardhurave të disponueshme që familjet kursejnë, e njohur si norma e kursimit, ra në 10.9 % gjatë tre muajve të parë të vitit, nga 12 % në tremujorin paraardhës, duke shënuar rënien e parë në dy vjet.
Liz McKeown, drejtoreshë për Statistikat Ekonomike në ONS, deklaroi:
Norma e kursimit ra për herë të parë në dy vjet gjatë këtij tremujori, pasi rritja e kostove për artikuj si karburanti, qiratë dhe shpenzimet në restorante çoi në një rritje të shpenzimeve.
Gjithashtu, theksoi se norma e kursimit mbetet “relativisht e fortë”, pasi krahasohet me një mesatare prej 5.5 % gjatë tre viteve deri më 2019-ën. Sandra Horsfield, ekonomiste në Investec, u shpreh:
Duket se ka hapësirë për rënie të mëtejshme të kursimeve në të ardhmen, pasi normat më të ulëta të interesit, me kalimin e kohës, nxisin familjet të kursejnë më pak. Kjo mund të shërbejë si mbështetje për aktivitetin ekonomik.
Sipas Ruth Gregory-t, ekonomiste e lartë në Capital Economics, përbërja e rritjes ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar e ka bërë ekonominë “të duket disi më e shëndetshme”, pasi zgjerimi ishte më pak i varur nga investimet e bizneseve dhe tregtia neto dhe më shumë nga konsumi i familjeve.
Megjithatë, theksoi se në tre muajt e parë të vitit, rritja u shty nga aktiviteti i bizneseve që u përshpejtua përpara hyrjes në fuqi të tarifave amerikane, si dhe nga një rritje e njëhershme në shpenzimet për avionë.
Këto burime rritjeje nuk do të vazhdojnë, paralajmëroi Gregory.
Ndërkohë, të dhëna të veçanta mujore të publikuara në fillim të qershorit treguan se ekonomia u tkurr me 0.3% mes marsit dhe prillit. Sipas një sondazhi të Reuters-it, ekonomistët parashikojnë që rritja në tremujorin e dytë të ngadalësohet në vetëm 0.1%.
Sipas Matt Swannell-it, rritja e dobësuar reale e të ardhurave, shtrëngimi i politikës fiskale dhe paqëndrueshmëria e lartë në tregtinë globale po rëndojnë perspektivën ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar.
Pas një fillimi të fortë në vitin 2025, Britania duket se po përgatitet për një tjetër vit me rritje të dobët, ndërsa kundërerërat vazhdojnë të forcohen./Monitor