Të paktën gjashtë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet ruse me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës gjatë natës, siç njoftuan sot shërbimet e emergjencës në territorin ukrainas.
Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit po përpiqen që të nxjerrin njerëz që besohet se kanë mbetur në rrënojat e një objekti banimi, i shembur pjesërisht.
Në një tjetër zonë të Ukrainës, një sulm me dron rus me rreze të shkurtër veprimi vrau dy njerëz dhe plagosi dhjetë të tjerë në rajonin e Çernihivit, siç raportuan autoritetet. Sipas kreut të administratës rajonale, Viacheslav Chaus, tre fëmijë janë në mesin e të plagosurve. Në një qytet tjetër të Ukrainës, Bila Tserkva, u vra një person dhe u plagosën tetë të tjerë.
Rusia i kreu këto goditje, pothuajse një javë pas një sulmi të kombinuar që ndërmori të martën e kaluar, kur vrau 28 vetë në Kiev, 23 prej të cilëve në një godinë banimi që u shemb pasi u sulmua nga një raketë ruse.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti atë sulm si një nga bombardimet më të mëdha të luftës, e cila tani është në vitin e katërt.
Në orët e para të ditës së sotme, dronët dhe raketat goditën zona të banuara, spitale dhe infrastrukturë sportive në disa qarqe të Kievit, referuar shërbimeve të emergjencës. Dëmet më të mëdha u raportuan në qarkun Shevçenkivski, ku një pjesë e një ndërtese pesëkatëshe u shemb.
Pesë njerëz u konfirmuan të vdekur nga sulmi në ndërtesë ndërsa 10 të tjerë, përfshirë një grua shtatzënë, u shpëtuan nga një godinë e lartë aty pranë, që gjithashtu pësoi dëme të rënda nga shpërthimi.
Banorë të tronditur, disa të mbështjellë me batanije, vëzhgonin me lot në sy ndërsa po zhvillohej operacioni pastrimi. Dhjetëra vullnetarë po ndihmonin për të hequr xhamat e thyer, degët e pemëve të rrëzuara dhe mbetjet e tjera.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, iu tha gazetarëve nga vendi i ngjarjes:
Shpresojmë shumë që numri i viktimave të mos rritet.
Por, punonjësit e shpëtimit ende ishin duke kërkuar në ndërtesën e shembur për viktima të tjera.