“Shqipëria do të ndalojë TikTok-un për një vit, pasi vrasja e një adoleshenti ngriti frikën se aplikacioni i mediave sociale përbën një ndikim negativ”, shkruan Kieran Kelly për gazetën britanike “The Telegraph”. Kryeministri Edi Rama konfirmoi se aplikacioni për ndarjen e videove do të ndalohet nga janari, si pjesë e një plani për t’i bërë shkollat më të sigurta.
Për një vit, ne do ta mbyllim plotësisht atë për të gjithë. Nuk do të ketë TikTok në Shqipëri, tha Rama pas takimit me grupe të prindërve dhe mësues.
Ndalimi, i pari i këtij lloji në Europë u nxit nga vrasja e një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar, në mes të nëntorit. Mendohet se janë përleshur në fund të orëve të mësimit, pas një debati në rrjetet sociale. “14-vjeçari u godit me thikë në zemër dhe vdiq një orë më vonë në spital”, sipas raportimeve të medieve. Ngjarja u filmua dhe u festua në internet nga disa përdorues të TikTok-ut. Hetimet janë duke vazhduar.
Nuk është ende e qartë nëse argumenti filloi në TikTok, por Rama ka argumentuar se fajin e ka platforma e mediave sociale me bazë në Kinë duke e etiketuar si “rrugaçi i lagjes”. “Problemi sot nuk janë fëmijët tanë, problemi sot jemi ne, problemi sot është shoqëria jonë, problemi sot është TikTok-u e gjithë të tjerët që po i marrin fëmijët tanë peng”, tha Rama.
TikTok tha se po kërkonte “qartësi urgjente” nga qeveria shqiptare pasi nuk gjeti “asnjë provë që autori apo viktima” ishin regjistruar në aplikacion. “Raporte të shumta në fakt kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë ngjarje po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”, tha një zëdhënës i kompanisë.
Ina Zhupa, nga Partia Demokratike deklaroi se “vendimi diktatorial për mbylljen e platformës së mediave sociale TikTok… është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë”. “Është një akt i pastër elektoral dhe abuzim me pushtetin për të shtypur liritë”, shtoi Zhupa.
TikTok tashmë është i ndaluar në disa vende anembanë botës, përfshirë Indinë ku u shpall i jashtëligjshëm në vitin 2020, si dhe Iranin, Nepalin, Afganistanin e Somalinë. Kohët e fundit, Australia miratoi ligjin më të rreptë në botë për mediat sociale, që ndalon fëmijët nën 16 vjeç të përdorin çdo platformë të tillë.
Në Francë, fëmijët nuk lejohen të përdorin mediat sociale deri në moshën 15 vjeç, nëse nuk kanë lejen e prindërve. Amerika po lëviz për të ndaluar TikTok-un nëse nuk shitet nga ByteDance, kompania e saj mëmë kineze, deri më 19 janar. Kongresi ka thënë se aplikacioni është i lidhur me shtetin kinez, diçka që TikTok dhe ByteDance e mohojnë.