Aktualitet Rajoni

Tragjedia me dhjetëra të vdekur në Maqedoninë e Veriut, reagon Papa Françesku: Ngushëllime të thella për familjet e viktimave

Papa Françesku shpreh “ngushëllimet e tij të thella” dhe siguron “afërsinë e tij shpirtërore me të lënduarit” në zjarrin dramatik që shpërtheu mbrëmë në një lokal nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut, me pasojë, 59 viktima dhe 155 të plagosur.

Kështu shkruhet në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar ipeshkvit të Shkupit, imzot Kiro Stojanov.

Në tekst, Papa Françesku siguron “kujtimin e tij në lutje për njerëzit që humbën jetën” dhe “ngushëllimin qiellor për ata që po vuajnë pasojat” e një prove kaq të hidhur.

LEXO EDHE: Tragjedia në Maqedoni, Rama: Jam pa fjalë, të gatshëm për çdo ndihmë që nevojitet!

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike në komunën e Koçanit, ku 59 persona humbën jetën ndërsa 155 persona morën lëndimet të rënda, qeveria mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.

LEXO EDHE: Zjarri në Koçan, Mickoski: Ditë e trishtueshme për Maqedoninë, dhimbje e pamatshme!

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të ofruar çdo ndihmë që mund të ketë nevojë Maqedonia e Veriut. Rama e quajti këtë tragjedi të paimagjinueshme dhe shprehu mbështetje për popullin maqedonas në këtë moment të vështirë.

Në një reagim ndërkombëtar, qeveria e Serbisë ka shpallur të martën, më 18 mars, ditë zie për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut.