Aktualitet

U kapën duke transportuar 11 kilogramë cannabis, 4 të arrestuar në Tiranë!

Katër persona në kryeqytet u vendosën në pranga në rrugën “Bill Clinton” pasi po transportonin 11 kilogramë bimë narkotike të llojit cannabis sativa, me qëllim shitjen. Sasia u gjet nga uniformat blu në dy qese të zeza e të vendosura në bagazh. U sekuestruan cannabis, makina, si dhe pesë celularë.

Njoftimi i policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale, të DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi proaktiv, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune hetimore tremujore, ka organizuar dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Carry on”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

J.M, 27 vjeç dhe J.M., 35 vjeç të dy banues në Tropojë;  Gj.H., 28 vjeç dhe O.I., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në rrugën “Bill Klinton”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Benz”, në të cilin gjatë kontrollit, në bagazh, janë gjetur dhe sekuestruar 2 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 11 kg.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 5 celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.