Policia e Tiranës ka zbuluar një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku dyshohet se kryhej veprimtari e mashtrimit kompjuterik.
Operacioni i koduar “Hold on” çoi në arrestimin në flagrancë të katër personave të dyshuar si organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie ndërsa nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 49 punonjës.
Në pranga ranë E.K., 28 vjeç, A.J., 21 vjeç, E.D., 21 vjeç dhe M.M., 19 vjeç.
Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.