Aktualitet

Ushtarët amerikanë stërvitje me FA-në dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, Ambasada Amerikane: Përgatit Aleatët e NATO-s në zbatimin e planeve rajonale

Ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar pamje të ushtarëve amerikanë që po marrin pjesë në Exercise Immediate Response 25, së bashku me Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, në zonën e stërvitjes në Bizë për ushtrime me armë zjarri.

“Immediate Response 25 është një ushtrim në shkallë të gjerë i Ushtrisë Amerikane i projektuar për të rritur aftësitë mbrojtëse, për të mundësuar integrimin në NATO përmes programeve të gatishmërisë së partneritetit shtetëror, dhe për të përgatitur Aleatët e NATO-s në zbatimin e planeve rajonale. Ai është gjithashtu një shembull i angazhimit të ShBA ndaj Aleancës”, thekson ambasada.

Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Kjo është stërvitja më e madhe ushtarake shumëkombëshe që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara. Nga sot e deri më 9 qershor, kur realizohet kjo stërvitje, do të ketë lëvizje të autokolonave nga bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, përkatësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 25”, ndaj Ministria e Mbrojtjes kërkon mirëkuptim nga qytetarët gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit.