Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të kryejnë aktivitete trajnimi së bashku, në kuadër të ushtrimit “Shpata e Artë 2025” në Kampin Vrellë, më 9 dhe 10 qershor 2025. Për herë të parë, në këtë stërvitje do të marrë pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Manovrat do të testojnë zbatimin e procedurave të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm të sigurisë, si dhe do të ndihmojë në rritjen e aftësisë së subjekteve të ndryshme për të vepruar së bashku, njoftoi KFOR-i.
Stërvitja pritet të përfshijë një personel prej mbi 600 pjesëtarësh, referuar njoftimit.
“Shpata e Artë 2025” është një tjetër demonstrim i prekshëm i bashkëpunimit të zhvilluar mirë dhe afatgjatë midis KFOR-it, EULEX-it e Policisë së Kosovës. Për herë të parë, Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë gjithashtu në këtë ushtrim, në përputhje me mandatin e saj origjinal të mbrojtjes civile, përmes aktiviteteve të trajnimit mbi trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të municioneve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme, theksohet po ashtu në njoftim.