Bota

18 të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite në Siri!

Sulmet ajrore izraelite vranë 18 persona në provincën Hama të Sirisë. 43 të tjerë u plagosën, duke përfshirë gjashtë, të cilët janë në gjendje të rëndë.

Sulmet dje vonë shënjestruan një numër objektesh ushtarake në Hama. Sistemet mbrojtëse të vendit kapën dhe rrëzuan disa prej tyre.

Edhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili ka dokumentuar dhunën në Siri që nga viti 2011, ka vendosur numrin e të vdekurve në 18.

Avionët luftarakë izraelitë sulmuan objektiva pranë qytetit të Hama, në Sirinë perëndimore.

Izraeli ka bombarduar objektiva në Siri për të parandaluar Iranin dhe milicitë aleate që të zgjerojnë ndikimin e tyre ushtarak në vendin e shkatërruar nga lufta. Sulmet izraelite në Siri janë shtuar që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor.

Më herët, ish-anëtari i kabinetit izraelit të luftës, Benny Gantz, u shpreh se Izraeli duhet të zhvendosë fokusin drejt Hezbollahut, në kufirin e Libanit, duke paralajmëruar se “janë vonë në këtë pikë”. Izraeli dhe Hezbollahu, grup që përkrahet nga Irani, kanë shkëmbyer sulme kufitare gati çdo ditë në vitin e fundit. Grupi militant pretendon se po vepron në shenjë solidariteti me aleatin palestinez, Hamasin, që po lufton me Izraelin në Gaza.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Ne kemi mjaftueshëm forca për t’u përballur me Gazën dhe duhet të koncentrohemi në atë që po ndodh në veri, vuri në dukje Gantz duke folur në Uashington në një forum për Lindjen e Mesme.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron te Irani dhe rrjetëzimet e veta.

Koha për veriun ka ardhur dhe besoj që jemi vonë në këtë pikë, deklaroi ish-shefi i ushtrisë izraelite.
Gantz beson se Izraeli ka bërë gabim kur ka zhvendosur banorët prej pjesës veriore të shtetit, pas nisjes së armiqësive me Hezbollahun, të nxitura nga lufta në Gazë.

Në Gazë, kemi arritur në pikën vendimtare të fushatës. Ne mund të bëjmë gjithçka që duam në Gazë. Ne duhet të synojmë arritjen e një marrëveshjeje për nxjerrje të pengjeve, por nëse nuk mund ta arrijmë atë brenda ditësh apo javësh, ne duhet të synojmë veriun.

Gantz është larguar prej qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në muajin qershor për shkak se kabineti aktual nuk ka një plan për Gazën, pasi të përfundojë lufta.