Bota

Ish-ministri Gantz: Izraeli duhet të zhvendosë fokusin ushtarak në Liban!

Ish-anëtari i kabinetit izraelit të luftës, Benny Gantz, u shpreh se Izraeli duhet të zhvendosë fokusin drejt Hezbollahut, në kufirin e Libanit, duke paralajmëruar se “janë vonë në këtë pikë”. Izraeli dhe Hezbollahu, grup që përkrahet nga Irani, kanë shkëmbyer sulme kufitare gati çdo ditë në vitin e fundit. Grupi militant pretendon se po vepron në shenjë solidariteti me aleatin palestinez, Hamasin, që po lufton me Izraelin në Gaza.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Ne kemi mjaftueshëm forca për t’u përballur me Gazën dhe duhet të koncentrohemi në atë që po ndodh në veri, vuri në dukje Gantz duke folur në Uashington në një forum për Lindjen e Mesme.

Sipas tij, problemi kryesor qëndron te Irani dhe rrjetëzimet e veta.

Koha për veriun ka ardhur dhe besoj që jemi vonë në këtë pikë, deklaroi ish-shefi i ushtrisë izraelite.

Gantz beson se Izraeli ka bërë gabim kur ka zhvendosur banorët prej pjesës veriore të shtetit, pas nisjes së armiqësive me Hezbollahun, të nxitura nga lufta e nisur në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.

Në Gazë, kemi arritur në pikën vendimtare të fushatës. Ne mund të bëjmë gjithçka që duam në Gazë. Ne duhet të synojmë arritjen e një marrëveshjeje për nxjerrje të pengjeve, por nëse nuk mund ta arrijmë atë brenda ditësh apo javësh, ne duhet të synojmë veriun.

Gantz është larguar prej qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në muajin qershor për shkak se kabineti aktual nuk ka një plan për Gazën, pasi të përfundojë lufta. Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit tetorin e kaluar duke vrarë mbi 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

Sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gazë kanë lënë mbi 40 mijë palestinezë të vrarë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze. Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB vlerëson se shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.