Bota

45 viktima nga fundosja e varkës me emigrantë në Itali/Bilanci mund të rëndohet në mbi 100!

Shkon në 45 numri i viktimave të tragjedisë në brigjet italiane ku një varkë me emigrantë u fundos në Cutro të Crotones. Mes atyre që humbën jetën ka shumë gra e fëmijë, përfshirë një të porsalindur. Disa nga trupat e pajetë u gjetën në një plazh të lokalitetit Steccato, të tjerë u nxorën nga deti. 80 vetë u shpëtuan. Numri i viktimave mund të rritet në mbi 100. Pasiguria lidhet me faktin se ekipet e shpëtimit nuk kanë një shifër të qëndrueshme sa i përket njerëzve në mjetin lundrues. Të mbijetuarit që nuk dinë një gjuhë të huaj flasin për 180 deri në 250 persona. Për shkak të mbipopullimit, varka nuk e përballoi detin e trazuar me dallgë. Në vendngjarje shkuan policia, karabinierët, rojet bregdetare, zjarrfikësit si dhe personeli i 118-ës e Kryqit të Kuq në shtetin fqinj.

Mjeti lundrues me emigrantë që u nda në dy pjesë ishte nisur katër ditë më parë nga Izmiri i Turqisë. Fillimisht u evidentua mbrëmjen e djeshme nga një avion i Frontex-it që patrullonte rreth 40 milje nga brigjet kalabreze. Menjëherë u dha sinjali dhe ekipet e shpëtimit dolën në det me një motovedetë. Në ndihmë të tyre shkoi edhe Guardia di Finanza. Por, deti i trazuar bëri që të mos i afroheshin sot varkës duke u kthyer pas që të mos rrezikonin jetën e anëtarëve të ekuipazhit. Mes të mbijetuarve është edhe një person i dyshuar si skafist, i cili u ndalua.

Në meshën e sotme në Vatikan, Papa Françesku tha se lutet për viktimat dhe i shprehu falënderime atyre që ofruan ndihmë.

Me dhimbje mësova për lajmin në brigjet kalabreze, pranë Crotones. Janë 45 viktima, mes tyre shumë fëmijë. Lutem për secilin prej tyre, për të humburit, si edhe për emigrantët që mbijetuan. Falënderoj të gjithë ata që ofruan ndihmë e mikpritje. Lutem që Shën Mëria të mbështesë vëllezërit e motrat tona.