Bota

Tragjedi në brigjet italiane, 43 viktima e mbi 100 të zhdukur nga fundosja e një varke me emigrantë!

Tragjedi në brigjet italiane. Në Crotone të Italisë, të paktën 43 emigrantë humbën jetën nga fundosja e një varke të mbingarkuar dhe që nuk mundi t’i bënte ballë detit të trazuar me dallgë, si pasojë e motit të keq. Mediat italiane raportojnë se mes viktimave ka fëmijë, përfshirë një të porsalindur e fatkeqësisht, bilanci pritet të rëndohet.

Disa trupa të pajetë u gjetën në plazhin e lokalitetit italian Steccato, ndërsa të tjerë u nxorën nga deti. Ende më shumë se 100 persona rezultojnë të zhdukur dhe vetëm 50 u shpëtuan nga fundosja e mjetit lundrues ku gjendeshin 250 vetë. Në vendngjarje shkuan policia, karabinierët, rojet bregdetare, zjarrfikësit si dhe personeli i 118-ës e Kryqit të Kuq në shtetin fqinj.

 

Ardhja në pushtet e të djathtëve ka ndryshuar politikat e qeverisë italiane për emigrantët. Në të parin fjalim në Parlament si kryeministre, pak muaj më parë, Giorgia Meloni u zotua të ndalojë emigracionin e paligjshëm nga Libia, madje duke bërë presion me dërgimin e forcave ushtarake atje, që të luftohet trafikimi i qenieve njerëzore.

Edhe më parë, aleati i Melonit, Matteo Salvini u përpoq të ndalonte emigrantët që zbarkonin në Itali në vitet 2018-2019, kohë kur drejtonte Ministrinë e Brendshme.

Vitin e kaluar, Italia u përball me numër edhe më të madh të emigrantëve të paligjshëm se më 2021-shin. Qeveria e re e së djathtës ekstreme mendon se anijet e organizatave humanitare rrisin shpresën e ndikojnë që të shtohet numri i atyre që përpiqen të shkojnë me mënyra të paligjshme në brigjet italiane. Kjo ndikon në shtimin e fataliteteve mes atyre që humbin jetën në tentativë.

Përvojat e viteve të kaluara kanë treguar se zyrtarët e Bashkimit Europian dhe të qendrës së majtë në Itali bënë çmos për të bllokuar emigracionin, shumë më përpara se Meloni të merrte detyrën. Dallimi është se tani Meloni dhe aleati i saj Salvini do t’i japin publicitetin maksimal përpjekjeve për të mos lejuar funksionimin e anijeve të kërkim-shpëtimit.