Aktualitet

BE: Së shpejti “pasaporta-COVID” për udhëtarët e vaksinuar

Bashkimi Evropian po konsideron vendosjen e të ashtuquajturave “pasaporta COVID-19″, për të hequr barrierat gjatë udhëtimeve ndaj të vaksinuarëve kundër koronavirusit. Ideja është  konfirmuar nga selia e Komisionit Evropian në Bruksel, ndonëse ajo përplaset me sfida ligjore. Konkretisht, të gjithë personat e vaksinuar kundër Koronavirusit, do të pajisen me një certifikate me të cilën do ta dëshmonin këtë dhe kjo do u mundësonte udhëtim të papenguar.

Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, kjo do të ishte diçka e ngjashme me certifikatat për testim që kërkohen sot nga disa shtete për të hyrë në territorin e tyre. Pro idesë së pasaportës së vaksinimit janë Greqia, Portugalia, Gjermania, Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen, por edhe liderë të ndryshëm të Bashkimit Evropian. Gjithashtu përmendet mundësia që për shtetasit e huaj vaksinimi të bëhet si kusht për hyrje në territorin e BE-së.

Por ideja për “pasaportat- COVID” është me shumë pikëpyetje edhe nga aspekti epidemiologjik sepse ende nuk ka dëshmi se të vaksinuarit, që mund të kenë imunitet, nuk e përhapin virusin te të tjerët. Këto vendime, shefat e shteteve të BE-së do t’i diskutojnë të enjten.