Bota

Caktohet data për gjyqin kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një gjykatë caktoi 25 marsin e vitit 2024 si datë për gjykimin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Kjo periudhë përkon me kulmin e fushatës zgjedhore për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane. Gjykatësi i Manhatanit në Nju Jork, Juan Merchan njoftoi për këtë datë gjatë një seance ku Trump mori pjesë përmes një video-lidhjeje.

Muajin e kaluar, ish-presidenti amerikan deklaroi se ishte i pafajshëm lidhur me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, sa iu përket pagesave që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit Michael Cohen.

Trumpit iu dha leje të mos paraqitej personalisht në gjykatë, me qëllim shmangien e sfidave të mëdha të sigurisë dhe logjistikës pasi u shpall  akuza kundër tij, muajin e kaluar.

Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e avokatit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016, lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore.

Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht. Urdhri i gjykatësit Merchan ndalon ish-presidentin republikan dhe avokatët e tij të shpërndajnë prova te palët e treta ose t’i postojnë ato në rrjete sociale. Po ashtu kërkon që disa materiale të ndjeshme të shpërndara nga prokurorët të mbahen vetëm nga avokatët e Trump-it, jo nga vetë ai.

Merchan kaloi pjesën më të madhe të seancës 15-minutëshe duke shqyrtuar një urdhër që lëshoi më 8 maj, i cili përcakton rregullat bazë për sjelljen e Trump-it në fillim të gjyqit.

Nuk duhet të interpretohet si urdhër për t’i mbyllur gojën dhe Trump është i lirë të flasë për rastinhe të mbrohet, por ai nuk mund të përdorë provat e dhëna nga prokurorët për të sulmuar e intimiduar dëshmitarët ose për të postuar dokumente të ndjeshme në rrjete sociale. Nëse ai shkel urdhrin, rrezikon të mbahet përgjegjës.

Ndër shqetësimet e ngritura nga prokurorët ishte se Trump mund të përdorte “informacione shumë personale” të gjetura në celularët e dëshmitarëve, si foto personale dhe mesazhe me familjen e miqtë, si dhe dëshmitë sekrete të jurisë e materiale të tjera, për të nxitur zemërimin e mbështetësve.

Avokatët kërkojnë që çështja e tij penale të transferohet në gjykatën federale. Nëse kjo pranohet, çështja e tij do të vazhdojë në gjykatën shtetërore.

Trump-it nuk i kërkohet të paraqitet sërish personalisht në gjykatë deri më 4 janar 2024, vetëm disa javë përpara se të priten të hidhen votat e para për kandidatin brenda partisë.