Bota

Vriten 6 persona në SHBA/ Viktimat, familjarë me autorin!

Në SHBA, 6 persona u gjetën pa shenja jete në disa vende të ndryshme krimi në Muscatine, Iowa, në një ngjarje tragjike që policia amerikane po e heton si konflikt familjar.

Sipas autoriteteve, policia u njoftua për herë të parë për një problem në një banesë në Park Avenue. Në vendngjarje, efektivët gjetën katër persona të pajetë, me plagë nga armë zjarri.

Shefi i Policisë së Muscatine-it, Anthony Kies, konfirmoi emrin e të dyshuarit për vrasjet, Ryan Willis McFarland, 52 vjeç, banues në Muscatine.

Sipas policisë, McFarland u largua dhe më pas u lokalizua në Riverfront Trail, pranë një ure për këmbësorë. I rrethuar nga forcat e rendit, qëlloi veten për vdekje.

Gjatë hetimeve të mëtejshme, autoritetet zbuluan edhe dy viktima: një burrë të vrarë në një banesë në Mill Street dhe një tjetër në bllokun 800 të Grandview Avenue.

Viktimat ishin anëtarë të familjes së të dyshuarit.

Distrikti Shkollor i Komunitetit në Muscatine konfirmoi se dy nga viktimat ishin punonjës të tij dhe dy të tjerë nxënës aktualë, duke e cilësuar ngjarjen “tragjedi të thellë për komunitetin”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimi mbetet aktiv dhe vijon për zbardhjen e plotë të rrethanave.