Bota

Çudit ambasadori rus në SHBA: Ukraina i paguan 25 dollarë qytetarët për të improvizuar skena nga masakra në Bucha

Për Rusinë, Ukraina po inskenon skena të ndryshme të krimeve, madje sipas tyre edhe paguajnë qytetarë të ndryshëm kundrejt 25 dollarëve.

“Autoritetet ukrainase janë duke rritur një fushatë për të përhapur akuza të rreme qëllimisht kundër ushtrisë ruse, gjë që ngre dyshime për sinqeritetin e pretendimeve të Kievit se ata duan të zgjidhin krizën përmes diplomacisë. Autoritetet ukrainase intensifikojnë çdo ditë fushatën e tyre dezinformuese anti-ruse, duke nisur akuza të pabaza për mizori të supozuara dhe krime lufte të forcave të armatosura ruse. Duke gjykuar nga retorika, udhëheqja e Ukrainës është e shtyrë jo aq nga shqetësimi për popullatën civile, por nga dëshira për të bërë imazhin e “viktimës” dhe për të diskredituar vendin tonë”, tha ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, sipas së cilit për këto skena i paguajnë qytetarët nga 25 dollarë.

Situata e luftës në Ukrainë sa vjen e tensionohet më shumë, e ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka parashikuar se në Ukrainë do të ketë masakër të tjera si ajo e Buchas, duke theksuar se askush nuk duhet të ketë iluzionin se objektivat e Kremlinit kanë ndryshuar, pavarësisht tërheqjes së forcave ruse nga veriu i Ukrainës.

Po ashtu edhe zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se Ukraina “absolutisht” mund të fitojë luftën kundër Rusisë.

Më shumë se 400 njerëz janë të zhdukur nga qyteti i Hostomel, thotë një zyrtar lokal, teksa qyteti mbajti peshën kryesore të përparimeve ruse në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, së bashku me Bucha dhe Irpin.