Bota

Deklaratë e G7-ës për referendumin “farsë” të Moskës në lindje të Ukrainës!

Vendet e G7-ës dënuan referendumet sipas tyre “të rreme” të Rusisë, që nisën dje në zonat e Ukrainës të pushtuara nga forcat e Moskës. Ndërkohë, janë gati të vendosin kosto të mëtejshme ekonomike për këtë veprim armiqësor. Grupi i 7 shteteve më të industrializuara thekson se “referendumet për bashkimin me Rusinë, nuk kanë efekt ligjor apo legjitimitet e gjithashtu nuk respektojnë normat demokratike”.

Votat në lindje dhe jug të Ukrainës, në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë një shprehje legjitime të vullnetit të popullit ukrainas, i cili vazhdimisht i ka rezistuar përpjekjeve ruse për të ndryshuar kufijtë me forcë.

Në zonat e kontrolluara nga Moska të rajoneve të Ukrainës: Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhya e Kherson, referendumi për shkëputjen që filloi dje do të mbahet për pesë ditë. Votimi që zhvillohet pa pëlqimin e Kievit zyrtar, zhvillohet sipas ligjit ushtarak.  Udhëheqësi separatist, Denis Pushilin foli për referendum “vendimtar”. Sipas tij, “kjo është pikë kthese në një realitet të ri”.

Në fletën e votimit, personat me të drejtë vote pyeten nëse duan që rajonet e tyre të jenë pjesë e Rusisë. Nuk ka asnjë dyshim se gjithçka do të rrjedhë në rrugën e përcaktuar nga Moska zyrtare, sipas vullnetit të presidentit Putin. Kjo do t’i jepte Rusisë pretekstin për të pretenduar se përpjekjet e forcave ukrainase për të rimarrë kontrollin janë sulme ndaj vetë Rusisë, duke përshkallëzuar në mënyrë dramatike luftën që filloi fiks shtatë muaj më parë, më 24 shkurt 2022.

Në Ukrainën lindore, qendrat e votimit janë ngritur kudo në zonat e pushtuara, shumica pranë vendbanimeve e në disa raste, fletët iu dërguan qytetarëve edhe në shtëpi, siç pretendohet, “për arsye sigurie”. Përjashtim do të bëjë e marta e ardhshme, kur në datën 27 shtator, banorët janë ftuar t’i drejtohen vendvotimeve në qendra të mirëfillta votimi, por që për Perëndimin e zyrtarët ukrainas, “thjesht janë pjesë e farsës së Kremlinit”.