Bota

Dy viktima nga raketat ruse në Poloni, takim urgjent i G20-ës/Sot mund të aktivizohet Neni 4 i NATO-s!

Udhëheqësit botërorë të mbledhur për një takim të vendeve të G-20 në Bali të Indonezisë, sot zhvilluan një takim urgjent pasi dy persona u vranë gjatë shpërthimeve për të cilat autoritetet ukrainase dhe polake thonë se u shkaktuan nga raketa ruse. Shtëpia e Bardhë deklaroi se “takimi u thirr nga presidenti amerikan, Joe Biden, pas një shpërthimi në fshatin Przewodow në lindje të Polonisë, pranë kufirit me Ukrainën”.

Në takim morën pjesë liderët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Kanadasë, Holandës, Japonisë, Spanjës, Italisë, Francës e Britanisë së Madhe.

Biden i ka ofruar Polonisë mbështetje dhe ndihmë të plotë amerikane lidhur me hetimet mbi shpërthimin pranë kufirit me Ukrainën që u mori jetën dy vetëve. Gjithashtu, foli me homologun polak Andrzej Duda dhe i shprehu ngushëllimet e thella për fatalitetet mbrëmjen e djeshme.

Presidenti Duda e informoi homologun Biden mbi hetimet e vendit të tij për shpërthimin në pjesën lindore të vendit, pranë kufirit me Ukrainën. Presidenti Biden rikonfirmoi angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s. Të dy udhëheqësit u pajtuan që ata dhe ekipet e tyre të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për të përcaktuar hapat e duhur ndërsa vazhdojnë hetimet.

Gjatë një konference shtypi, presidenti polak Andrzej Duda tha se është e ditur që Rusia goditi me raketa Ukrainën, gjatë së martës. Por, vuri në dukje se “për momentin nuk ka prova se kush e lëshoi raketën”.

Kam besim të plotë se hetimet do ta sqarojnë këtë. Ka shumë të ngjarë që raketa të ishte e prodhimit rus, por gjithçka po hetohet.

Presidenti Duda paralajmëroi se ka shumë të ngjarë që sot të aktivizohet Neni 4 i NATO-s gjatë një takimi të aleancës.

Sipas Nenit 4 të traktatit, vendet anëtare mund të sjellin për diskutim çështje shqetësuese, kryesisht që lidhen me sigurinë e një vendi pjesëtar të Aleancës. Që nga krijimi i NATO-s në vitin 1949, Neni 4 është aktivizuar disa herë, për shembull nga Turqia.