Bota Lifestyle

E keni për zakon të paguani me kartë gjatë udhëtimeve?! Ja gabimi që jeni duke bërë…

Kohët e fundit është bërë një opsion i zakonshëm për turistët që tërheqin para nga bankomatet ose paguajnë me kartë në dyqane dhe restorante kur udhëtojnë jashtë vendit. Kur u duhet të paguajnë një faturë restoranti, klientëve të huaj mund t’u ofrohet zgjedhja në lexuesin e kartave për të paguar në monedhën e tyre vendase ose atë të shtetit pritës. Ky funksion, i njohur si “konvertimi dinamik i monedhës” ose “zgjedhja e monedhës” tingëllon tërheqës pasi është një shërbim lehtëson punën dhe ju lë të kuptoni sesa para po shpenzoni.

Por ka një çmim pasi tarifat e ngarkuara për këtë lehtësi mund të jenë me kosto të larta. Një studim tregon se tarifa mesatare e aplikuar për këtë lloj konvertimi është 7.6%, më shumë se dyfishi i kostos së pagesës në monedhën vendase. Pavarësisht tarifave të larta, hulumtimi tregon se më shumë se gjysma e klientëve ndërkombëtarë ende zgjedhin të paguajnë në monedhën e tyre të njohur vendase.

Ndërkaq, tarifat nuk u tregohen në mënyrë eksplicite klientëve. Kjo do të thotë, se turistët mund të shohin kursin e aplikuar të këmbimit, por atyre nuk u tregohen tarifat e fshehura ose si krahasohet ai kurs këmbimi me të tjerët. Ndërsa është i shtrenjtë për turistët, “shërbimi” i zgjedhjes së monedhës mund të jetë shumë fitimprurës për ata që e operojnë atë. Kompanitë që ofrojnë opsione dinamike të konvertimit të monedhës fitojnë të ardhura të konsiderueshme nga konvertimi, një pjesë e të cilave shpesh ndahet me biznesin ku kryhet transaksioni.

Burimet tregojnë se të ardhurat shtesë për shitësit me pakicë arrijnë në rreth 1% të vlerës së transaksionit. Gjithashtu ka dyqane të njohura që trajnojnë punonjësit për të inkurajuar në mënyrë aktive klientët e huaj që të paguajnë për blerjet në monedhën e tyre vendase. Pavarësisht tarifave të larta të konvertimit të përfshira në konvertimin dinamik të monedhës, shumica e rregullatorëve qeveritarë në mbarë botën kanë hezituar të ndërhyjnë. Një arsye e mundshme për këtë është se rregullimi do të shihej se mund të godiste fitimet e bizneseve lokale.

Përjashtim bën Bashkimi Evropian (BE), i cili konsideron se kostot e tepërta të transaksioneve janë pengesë për zhvillimin e bizneseve dhe synon të mbrojë konsumatorët evropianë. Rregulloret e fundit të BE-së synojnë të rrisin transparencën duke përfshirë informacion shtesë në lidhje me kostot e zgjedhjes së monedhës në lexuesit e kartave dhe bankomate.