Film & Tv

“Eternals”. Nuk ka film të dytë (të paktën të zhanrit) kaq përfshirës… por vetëm kaq. Kritikë.

Është padiskutim filmi në të cilin Marvel bëri një kthëse të madhe. Duke nisur nga regjisorja e tij (grua) – Chloe Zhao, e freskët nga Çmimi Oscar. Shkalla e produksionit është më e madhja ndonjëherë nga kompania e librave të heronjve të aksionit (Comic Books). Pavarësisht ambicieve të mëdha, filmi humbet në ‘përkthim’-in e tij si diçka më shumë sesa ‘Universi i Marvel’-it.

Aspiratat e ‘Eternals’ janë biblike. Dhe kjo nuk është një fjali metaforike. Titrat e hapjes janë nga kapitulli i ‘Zanafillës’ në Bibël, që shpjegon se Arishem, Celestiali i parë, solli dritë në univers. Filmi i cili udhëton mes mijëra viteve të historisë njerëzore nuk ka më shumë se dhjetë personazhe kresore, nga të cilët katër janë të ‘këqinj’, një histori dashurie katërshe si edhe një skenë seksi për herë të parë në një film të Marvel.

Historia shkurtimisht është kjo; për mijëra vjet, një skuadër superheronjsh të pavdekshëm, të mbiquajtur “Eternals” (Të Përjetshmit), jetonin në mënyrë sekrete nga njerëzorët, të dërguar në planetin tokë nga Celestialët për t’i ‘ushqyer’ dhe mbrojtur ata nga ‘Deviantët’. Për shekuj ata jetonin mes banorëve të tokës, të mbiquajtur prej tyre si Zotat (sipas mitologjisë). ‘Të përjetshmit’ kryesorë janë dhjetë, secili syresh me një fuqi të jashtëzakonshme: Sersi (Gemma Chan) mund të shndërrojë objekete, Ikaris (Richard Madden) një lloj Superman-i i Marvel-it; Kingo (Kumail Najiani), lëshon zjarr nga duart; Sprite (Lia McHugh) krijon iluzione, Phastos (Brian Tyree Henry) shpikës (i pak a shumë çdo gjëje që gëzojmë sot); Makkari (Lauren Ridloff) është super i shpejtë), Druig (Barry Keoghan) kontrollon mendjet, Gilgamesh (Don Lee) ka fuqi mbi njerëzore dhe Thena (Angelina Jolie) ka aftësinë të krijojë armë nga hiçi. Udhëheqësja e tyre është Ajak (Salma Hayek) “The Prime Eternal” (E përjetshmja kryesore). Ajo ka aftësi shëruese dhe ka një komunikim me Arishem, për të mos dalë nga misioni i grupit në tokë.

Nëse ju duken shumë, në fakt shumë janë. Edhe pse filmi përpiqet të prezantojë dhe japë një sfond të personazheve të tij, është praktikisht e pamundur edhe në dy orët e gjysëm ose më shumë. (Është filmi i dytë më i gjatë i Marvel Comic Univers deri më tani, i kaluar vetëm nga finalja epike e “Avengers: Endgame”). Historia ka si personazhe më kryesorë Cercei-n dhe Ikaris-in, dhe historinë e tyrë të dashurisë, duke lënë Phastos-in dhe Makkar-in si personazhe të dorës së dytë. Interpretimi i Nanjianit bën maksimumin për t’u bërë relevant në një lloj mënyre – përshtatja e tij me jetën në tokë është shumë për të qeshur – ka krijuar një dinasti Bollywood-i, por sërish ngel një aksesor i historisë.

Të kuptohemi, Marvel është mësuar me filma me shumë personazhe si ato të tetralogjisë Avenger apo “Guardians of the Galaxy”. Mirëpo me gjithë 27 filmat e ‘Infinity Saga’ nga 2007, me personazhet e [shumtë të] “Eternals” duhet të ‘mësohemi’ nga fillimi, një ‘mësim’ që do qé më i kollajtë sikur ata të ishin duke bërë gjëra interesante. Ndërkaq, gjysma e filmit tregon [shumë] shkurt historinë e tyre 6500 vjeçare në tokë, dhe gjysma tjetër është një Backstreetboys are back. Antagonisti i vërtetë i filmit del mbas dy orëve asgjëje.

Pavarësisht mangësirave të historisë “Eternals” është i mrekullueshëm vizualisht falë këmbënguljes së regjisores Chloé Zhao për të xhiruar në lokacione të vërteta dhe jo në green screen (sfond jeshil). Kjo i ka bërë aktorët që të lidhen më shumë me skenën që janë duke xhiruar. Ndryshimi është i dukshëm. Bie në sy po aq sa diversiteti i filmit, që mund të konsiderohet gjithashtu edhe arritja më e madhe e filmit.

“Eternals” vuan të mbushë ‘këpucët’ e mëdha që ka reklamuar. Edhe pse shitet si diçka tjetër, në thelb është një film me superheronj, të jashtëzakonshmit, të zakonshëm (super)heronj.