Celebrities Film & Tv

“F.R.I.E.N.D.S”, ribashkimi, fundi i një ere – Kritikë

Të ribashkosh edhe një herë 6 shokë (po edhe më shumë se aq) është një sipërmarrje e sikletshme. Seria e parë e serialit që zgjati për 10 sezone (10 vjet) dhe që vazhdon sot e kësaj dite të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm u transmetua më 22 Shtator të 1994. “The One Where Monica Gets a Roomate” (Seria kur Monika gjen shoqe dhome) nis me një skenë të 5 njerzve që nuk i kemi parë ndonjëherë që flasin për takime dashurie dhe ëndrra të çuditshme. Nga ajo skenë pak minutëshe zbulojmë që Chandler është një batutaxhi paksa çun mami, Xhoi një bythë e zgjuar, Monika ka një takim po atë natë (e mbani mend, Paul, the Wine Guy), Ros (fytyrëvrari) qahet për gruan e tij që e la sepse zbuloi që ishte lezbike, Fibi një rob pa lidhje që i pastron shokëve aureolat. Në skenë futet një vajzë e adhurueshme, Rejçëll, veshur si nuse, e përkëdhelur, qahet sepse burri e ka tradhëtuar me shoqëruesen e saj, dhe ajo e la në altar. Ross menjëherë i bie në kokë për të. Dhe ja tek kemi thelbin e (mbase) serialit televiziv komik më ndikues ndonjëherë.

Episodi 0, Piloti është menjëherë i dashur, të bën direkt për të qeshur – diçka që ndodh shumë rrallë me episodet e para. Personazhet janë të bukur dhe normalë, ajo që kemi në kokë kur mendojmë Manhattan, Greenwich Village.

17 vite më vonë, 6 yjet e “Friends” – Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc, Matthew Perry dhe David Schwimmer flasin për një serial i cili me standartet e sotme të shoqërisë (perendimore) të ‘Cancel Culture’ tingëllon misogjen, homofob për të thënë më të paktën – por është ky takim i fundit, një makinë kohe për thelbin e viteve ’90 – kohë shumë më të ‘rehatshme’…(një serial, kaq i ‘bardhë’ dhe paksa seksist do ishte nën shënjestër)

27 vite më parë ishte ekzotike shumë për një serial televiziv që të kishte një personazh femër që flinte me dikë që në takimin e parë. Jo dhe aq tipike për një 20 e ca vjeçar aktor i papunë të përballojë një apartament me dy dhoma gjumi, apo historia e apartamentit gjigand të Monikës – me justifikimin ‘rent-controlled’ – kjo sa për t’i dhënë konotacion. 27 vite më pas nga fillimi dhe 17 vite nga përfundimi i “Friends” ata ri-bashkohen – ribashkimin shkon nëpër disa peripeci, fillimisht do dilte më 27 Maj të vitit të kaluar por Pandemia e shtyu për ekgzaktësisht një vit më vonë. Kujdes! Ky nuk është një episod i rradhës i shokëve – shumë herë e kanë sqaruar që nuk do donin të ‘trazonin’ fundet e lumtura të personazheve të tyre dhe i kanë thënë jo çdo oferte për një vazhdim të serialit apo një film – diçka që nuk ka ndodhur me shumicën e serialeve televizivë. (Sex and the City, seriali po kaq i suksesshëm i së njëjtës periudhë – u bë film, dhe tani po ribëhet serial me të njëjtin cast – në HBO këtë vjeshtë). Episodi i fundit i “Friends” është pak dokumentar, pak show i James Corden, dhe shumë nostalgji – e zgjuar jo vetëm tek protagonistët, por mbi të gjitha tek brezat që u rritën dhe gjetën veten duke parë shokët.

Nuk ka asgjë të re për t’u parë. Çdo gjë që kishte ngelur është thënë në historinë verbale të show-ut për Vanity Fair. Por e ritreguar është prapë e bukur. Kështu krijuesit e serialit Marta Kauffman dhe David Crane rrëfejnë peripecitë e tyre për të ngritur serialin i cili konsiderohej një bast i madh për kohën, vështirësitë e gjetjes së aktorëve, famën e madhe dhe mënyrën si vendosin t’i mbyllin gjërat.

Emocioni fillon nga minuta e parë me protagonistët që vizitojnë edhe një herë sheshin e xhirimit – rindërtuar nga Warner Bros. (origjinali u ç’montua menjëherë pas përfundimit të xhirimeve të episodit të fundit, atë natë). Edhe pse nuk e reflektojnë 6 protagonistët thonë se mbajnë kontakte me njëri-tjetrin, sidoqoftë e vetmja herë që publiku i ka parë bashkë larg reflektorëve ka qënë një foto që u ‘përdor’ nga Jennifer Aniston për të lançuar instagramin e saj. Komenti i parë që të vjen të bësh kur je duke parë këtë episod është ‘Sa janë plakur’. Në fakt me moshë nuk janë shumë. Perry (i cili duket më i plakuri) është 51 ndërsa Kudrow 57, të tjerët janë në mes. Ai që ngjason më shumë me veten në serial është Schwimmer. Në fakt pamja e tyre gjatë ‘Friends’ kishte një impakt të jashtëzakonshëm në kulturën POP, nga flokët e Aniston, tek pantallonat e lëkurës të Ross apo bizhuteritë e çuditshme të Kudrow. Nuk është se efektin e moshës së artistëve e kuptojmë vetëm nga ky show – xhanëm karrierat e tyre kanë vazhduar. Ajo që mbase kuptojmë është se bashkë me ta, po plakemi edhe ne – edhe pse në mendje mund të jemi prapë gallataxhinjtë e kafes te cepi. E kemi të vështirë ta pranojmë këtë sepse “Friends” vazhdojnë të jenë në televizionet tona me të njëjtin intensitet, dhe janë si të ngrirë në kohë, po aq popullorë edhe për atë gjeneratë që nuk kishte lindur kur seriali u transmetua për herë të parë. Mjaft të shohësh çfarë bëhet në Tik Tok në hashtagun #friendstok.

Në këtë episod të fundit shfaqen edhe kartolina të shikuesve nga mbarë bota, që tregojnë impaktin e jashtëzakonshëm të serialit në jetën e tyre. Bashkë me ta edhe laureantja e Nobel-it Malala Yousafzai. Shumë pak prej tyre kanë pritur një javë për të parë episodin e rradhës, pak prej tyre hyjnë në listën e 52 milion vetave që u ulën para ekranit të vogël për të parë finalen. Shumica hyjnë në listën e atyre që e kanë streamuar 5 miliardë herë nga 2004 e këtej.

“Friends” nuk është diçka e zakonshme, është një shfaqe që ndodh njëherë në hënë. Asnjë studio prodhimi nuk do rindërtonte një set (Stage 24) për një prodhim televiziv deri në detajin më të vogël – siç ka bërë Warner Bros.

Qëllimi i “Friends: The Reunion” është gati dy orë të dehura me nostalgji dhe lot. Asgjë nuk thërritet, fundja mes miqve ulur në divan kujtimet rrjedhin. Kujtime si martesa e Aniston me Brad Pitt, lidhja e Mathew Perry dhe Julia Roberts që filloi pikërisht aty, fiksimi që Schwimmer kishte për Aniston apo lidhja e vërtetë e 6 shokëve me njëri-tjetrin. Nga kujtimet e hidhura ka pak ose aspak – si p.sh. rasti i akuzave për ngacmim seksual të një prej shkrimtarëve, apo vendimi i tyre për t’u paguar njësoj pavarësisht presionit dhe thashethemeve. Ajo që mungon dhe ishte një mundësi e mirë për t’u zhvilluar ishte ndikimi shoqëror që kanë patur “Friends”, për të pranuar të ndryshmin (rasti i Fibit), homoseksualitetin, veten, ankthin etj. Janë vetë fansat e show-ut me kartolinat e tyre që thonë sa i rëndësishëm ka qënë ky apo ai episod – si rasti kur Monika i propozon Chanlderit, por producentët nuk kanë kohë për këtë – fundja të mbledhësh 10 në 2 orë – madje po ti shtosh edhe 17 vitet deri më sot – është vërtet mision i pamundur.

Sidoqoftë eksperienca e të parit është boshe, thuajse s’ka asgjë të re, edhe pse kurioziteti për të zbuluar diçka të re është i jashtëzakonshëm. Mbase të zbulosh më shumë për “Friends” do ishte të zbulonim më shumë për veten, dhe asnjë nga ne nuk do donte ta bënte këtë.

“Friends: The Reunion” është ëmbëlsira më e ëmbël e fansave të serialit. Të shijon dhe emocion pa fund. Qesh – me të njëjtat gjëra që ke 27 vite që qesh po aq fort, në mos më fort – qesh me një të qeshur melankolike.

Një ëmbëlsirë nga e cila nuk do velemi kurrë, sepse ca gjëra në jetë janë aq të mira se nuk mund të përsëriten – dhe “Friends” ngelin një prej tyre!