Bota

Frikë dhe panik në Stamboll të Turqisë, 11 të plagosur në një shpërthim!

Një shpërthim në rrugën e njohur Istiklal në Stamboll të Turqisë raportohet se ka shkaktuar disa të plagosur, disa burime flasin për 11 të lënduar. Ende e paqartë nëse ka viktima.

Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu tha:

Eshtë thelbësore të ndihmojmë policinë dhe ekipet tona shëndetësore në lidhje me shpërthimin në rrugën Istiklal e të shmangim postimet që mund të shkaktojnë frikë dhe panik.

Çfarë dihet deri tani?

Videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë shumë njerëz në tokë të dëmtuar si pasojë e shpërthimit. Autoambulanca dhe policia kanë mbërritur në vendngjarje.

Mediat turke raportojnë se shpërthimi u regjistrua në orën 16:20 me atë lokale. Zjarri përfshiu rrugën e mbushur me njerëz ndërsa kalimtarët që deri në ato momente ecnin të qetë, nisën të vraponin të frikësuar.

Në mediat sociale, u raportua se rruga Istiklal, pranë sheshit Taksim, u rrethua dhe dyqanet u mbyllën. Rruga Istiklal kalon nëpër lagjen qendrore Beyoglu, ku kanë shtëpi shumë shtetas të huaj, si dhe frekuentohet masivisht nga turistët.