Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur gjatë natës në Krujë, ku një automjet tip Fiat ka qenë në shënjestër të një sulmi me tritol.
Sipas informacioneve paraprake, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e kofanos së automjetit dhe dyshohet se ka qenë një sasi e vogël.
Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie nga zona, ku dyshohet se është fiksuar autori i ngjarjes. Nga pamjet, personi shihet se pasi ka vendosur lëndën plasëse është larguar në këmbë. Ai kishte veshur rroba të errëta, me qëllim shmangien e identifikimit.
Automjeti rezulton në pronësi të Dervish Gunit, i cili gjatë dëshmisë së tij në polici ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe se nuk ka dijeni për arsyen e sulmit apo autorët e mundshëm.
Megjithatë, grupi hetimor po verifikon disa pista, ndërsa një prej dyshimeve kryesore lidhet me një konflikt të mundshëm pronësie. Sipas hetuesve, mënyra e vendosjes dhe sasia e vogël e lëndës plasëse mund të tregojnë se ngjarja ka pasur si qëllim dhënien e një mesazhi apo paralajmërimi.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.