Bota

Liban, Hezbollahu sulme ndaj tankeve dhe ushtarëve izraelitë!

Përleshjet në jug të Libanit kanë vazhduar edhe pasi Izraeli e Hezbollahu pranuan një plan të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për zbatimin e një armëpushimi të pjesshëm.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se ka zhvilluar biseda me të dyja palët dhe se “ata ranë dakord që të ndalojnë të gjitha të shtënat”, pasi Irani paralajmëroi se veprimet ushtarake izraelite në Liban përbënin kërcënim për armëpushimin aktual mes SHBA-ve e Republikës Islamike.

Libani bëri të ditur se Hezbollahu pranoi planin që parashikon ndalimin e sulmeve ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli të mos kryejë sulme ndaj kryeqytetit libanez, Bejrut.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi marrëveshjen, por paralajmëroi se sulmet ndaj Bejrutit do të vazhdonin nëse Hezbollahu nuk ndalonte sulmet kundrejt qyteteve dhe civilëve izraelitë. Ai shtoi se ushtria izraelite do të vazhdojë operacionet në jug të Libanit.

Megjithatë, gjatë natës u raportuan përplasje të reja. Hezbollahu njoftoi se ka kryer tre sulme ndaj tankeve dhe ushtarëve izraelitë pranë dy fshatrave në veri të Izraelit, duke përdorur dronë e një breshëri predhash artilerie.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se interceptoi dy predha të lëshuara nga territori libanez. Nuk njoftohen viktima.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi sulme izraelite në disa zona jugore të vendit dhe bëri të ditur se një shpërthim shumë i fuqishëm tronditi qytetin Debbine.

Më herët, Netanyahu kishte urdhëruar sulme ndaj objektivave që Izraeli i konsideron terroriste në periferitë jugore të Bejrutit, si përgjigje ndaj sulmeve me raketa dhe dronë nga Hezbollahu, grup i mbështetur nga Irani.

Kjo shkaktoi reagime të forta nga zyrtarët iranianë. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, deklaroi se armëpushimi SHBA-Iran është “pa asnjë dyshim armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”, duke shtuar se shkelja e tij në një front përbën shkelje në të gjitha frontet.