Aktualitet Fol Sociale

“Kam 29 vite që i shtroj pjatën në tavolinë…”/Djali iu zhduk kur ishte vetëm 12 vjeç, flet nëna e Xhevahir Gezdarit!

Në episodin e tetë të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” me titull “Fëmijëri e humbur” është trajtuar një temë mjaft delikate, për fëmijët e zhdukur. Cili është fati i tyre? Janë bërë të ditur edhe emrat e 16 fëmijëve, që janë shpallur të humbur nga Interpoli. Disa prej tyre janë deklaruar të humbur mbasi njëri nga prindërit i ka rrëmbyer. Ndërsa për të tjerët nuk dihet asgjë.

Si shembull është sjellë ai i Xhevahir Gezdarit, nëna e te cilit prej vitit 1995 thotë se vazhdon të shtrojë në tavolinë dhe pjatën e tij. Humbja e fëmijës është rasti tipik kur u hetua dhe kompania e huaj që ishte vendosur ne fshatin Tagan dhe më pas u largua.

Do ndjekim rrëfimin e nënës së Xhevahirit, nga fshati Tagan e cila për 29 vjet nuk ka ndalur së kërkuari fëmijën që e nisi për në shkollë dhe që kurrë nuk u kthye.

Pjesë nga intervista:

Anila Hoxha: Si quhesh?

Vera.

Anila Hoxha: Sa vjeç ishte djali kur u zhduk?

Vera Gezdari: 12 vjeç.

Anila Hoxha: Si quhet djali?

Vera Gezdari: Xhevair.

Anila Hoxha: Në çfarë viti u zhduk?

Vera Gezdari: Më 5 prill, 1995.

Anila Hoxha: Çfarë mban mend nga ajo ditë? Në çfarë klase ishte djali?

Vera Gezdari: Në klasë të tretë. Çuni u nis për në orën 10. Erdhi kjo vajza (Havie, e motra e Xhevairit) prej shkolle dhe tha “ku është Xhevairi?”, se kishte datëlindjen kjo. Edhe i thashë `o  Xhevair hajde shpejt, vjen edhe Havia edhe …` `po, po mami do të vij`. Në orën 15:00 ( ora 3 e mbasdites) i lëshonte ajo mësuesja dhe nuk erdhi, nuk u kthye më po atë ditë.

Anila Hoxha: Për çfarë dyshuat ju si familje?

Vera Gezdari: Vallahi kanë kërkuar gjithandej, por nuk e di. Ka shkuar Hafuzi (bashkëshorti), edhe kjo Havi, kanë shkuar në Tiranë, kanë biseduar ku e di unë.

Anila Hoxha: Shkuat në polici të nesërmen? Çfarë shpresoje ti si nënë teksa prisje?

Vera Gezdari: Shpresoja se do të vijë, jo se do të largohet ai. Se besonim. Nuk na ka bërë vaki të na marrë dikush fëmijën.

Anila Hoxha: Kishte dëshmitarë? Çfarë treguan banorët?

Vera Gezdari: Nuk kallëzuan asnjë fjalë, nuk kanë kallëzuar.

Anila Hoxha: Kush e kishte parë për herë të fundit Xhevairin?

Vera Gezdari: Këto mësuesit kanë thënë “hajde të hymë Brenda. Ka ra poshtë se është një vjeç. Ka ra poshtë”.

Anila Hoxha: Ku po shkonte?

Vera Gezdari: Se di, a ka shkuar në shkollë. Ata thanë se nuk ka ardh, nuk ka mbërritur aty.

Anila Hoxha: Mendon se është gjallë Xhevairi?

Vera Gezdari: Besoj prej Zoti. Se prej njeriut jo. Inshallah Zotit është mirë.

Anila Hoxha: Vazhdoni kërkimet si familje?

Vera Gezdari: Vallahi e ka kërkuar kjo vajza. Unë nuk mund të shkojë. Unë jam me tension edhe nuk kam qenë mirë.

Anila Hoxha: Kur të pyesin sa fëmijë ke, sa fëmijë thua?

Vera Gezdari: 9 fëmijë kam. I ka Zoti.

Anila Hoxha: Ku përfshin edhe Xhevairin?

Vera Gezdari: Po.

Anila Hoxha: Thua që Xhevairi është gjallë?

Vera Gezdari: Xhevairi është gjallë.

Anila Hoxha: Po kush e ka rrëmbyer?

Vera Gezdari: Nuk e di, se di. Nuk i vendos akuzë kurrkujt sepse nuk e di.

Anila Hoxha: U ngrit fshati për të kërkuar në atë kohë? Prej 1995?

Vera Gezdari: Jo jo,  veçse ka ardh një shef dhe i thashë unë ‘dëgjo ju jeni shefa, i dini rrugët tuaja ku i keni dhe ku si keni, se unë nuk jam marrë me këtë punë”. Tha “oj nëne nuk e di. Edhe unë nuk di gjë”.

Anila Hoxha: Pastaj më pas, ju informuan se çfarë po ndodh?

Vera Gezdari: Mbrapa iku. Ne e kërkuam edhe tek motra në Durrës. Nuk ishte kurrkund as tek motra. E kërkuam nëpër Tiranë. Ku të shkonim. S’dinim gjë. Se di. Sesi është puna. A ka ndodh në shkollë, a ka shkuar në shkollë, a nuk ka shkuar në shkollë. Nuk e di kush.

Anila Hoxha: I pyetët banorët, i pyetët mësuesit?

Vera Gezdari: Ne i pyetëm mësuesit.

Anila Hoxha: E ke parë ndonjëherë në ëndërr djalin?

Vera Gezdari: Vallahi jo.

Anila Hoxha: Që kur është zhdukur?

Vera Gezdari: Jo jo, asnjëherë. Se nuk më del sesi qaj dhe nuk del. Fëmijë se nuk i ka shkuar…

Anila Hoxha: Brenga jote më e madhe është se nuk di se çfarë ndodhi me djalin?

Vera Gezdari: Po, po. Brenga e madhe është shumë e zorshme kjo, se ti thuash të vijë çuni. Kjo është puna, veçse inshallah të vijë çuni se kjo është.

Anila Hoxha: Ende shpreson? Megjithëse nga 1995 deri sot në 2024 nuk ka asnjë shenjë për të?

Vera Gezdari: Jo, jo asnjë.

Anila Hoxha: Çfarë ke besuar gjatë këtyre viteve? Fëmijët e tjerë u rritën, krijuan familje, gëzoheshe natyrisht për jetën e fëmijëve të tu.

Vera Gezdari: Vendosja psh. bukën, sofrën, bëja festa, lugën atij ia vendosja, pjatën atij. Nuk ishte ai.

Anila Hoxha: Prej sa vitesh e ndoqe këtë ritual, që vendosje pjatën, lugën e tij?

Vera Gezdari: Deri tani.Vazhdoj prapë po ashtu.

Anila Hoxha: Si vazhdon?

Vera Gezdari: Vazhdoj inshallah hapet porta të vijë.

Anila Hoxha: Kur shtron bukën vendos edhe pjatë për Xhevairin akoma?

Vera Gezdari: Po, për Zotin ia vendos m’u aty. Inshallah të vijë do Zoti të vijë. Se jemi me brenga mjerë ku i bie kjo.

Anila Hoxha: E kanë rrëmbyer? E kanë vrarë? Çfarë i ka ndodhur?

Vera Gezdari: Nuk e di.

Anila Hoxha: I ka ndodhur një aksident? Ka rrëshkitur në përrua? Çfarë të thotë ty, zemra e nënës?

Vera Gezdari: Jo, jo, zemra thotë që është shëndoshë e mirë. Nuk e di. Unë po them të jetë shëndoshë e mirë. Se di, se nuk ka shkuar me makinë do rrëzohet ky. Ai ka shkuar në shkollë.

Anila Hoxha: Çfarë mban mend nga Xhevairi? Ke ruajtur diçka nga Xhevairi?

Vera Gezdari: Jo, nuk m’i dhanë fletoret. Se shkova i mora ato fletoret, librat, por nuk mi dhanë. Se ai i ka marrë me vete krejt në çantë. Nuk ka lënë gjë aty.