Gra që përpiqen të jenë perfekte në çdo aspekt të jetës, të rinj me vetëbesim të brishtë dhe njerëz që përfundojnë vazhdimisht në marrëdhënie toksike.
Sipas psikologëve, shumë prej këtyre historive kanë një rrënjë të përbashkët: rritjen me prindër narcisistë.
Prindërit narcisistë janë të përqendruar kryesisht te vetja, kontrolli dhe imazhi i tyre, shpesh duke neglizhuar nevojat emocionale të fëmijëve. Në vend të sigurisë dhe mbështetjes, fëmija rritet mes kritikës, fajit dhe pasigurisë emocionale.
Psikologia Dr. Sarah Davis, e cila ka shkruar librin “Rritur nga prindër narcisist”, shpjegon se këta fëmijë shpesh zhvillojnë bindjen se nuk janë “mjaftueshëm të mirë” dhe se dashuria duhet fituar përmes performancës, bindjes apo suksesit.
Sipas saj, një nga format më të zakonshme të manipulimit është “dashuria e kushtëzuar”. Fëmija ndihet i pranuar vetëm kur përmbush pritshmëritë e prindit, duke mësuar me kalimin e kohës të shtypë emocionet dhe nevojat e veta.
Në këto familje krijohen shpesh role të caktuara:
– “fëmija i artë”, që lavdërohet dhe përdoret për të ushqyer egon e prindit,
– “fëmija i humbur”, që tërhiqet për të shmangur konfliktet,
– dhe “kurbani”, mbi të cilin hidhen kritikat dhe faji.
Ekspertët theksojnë se pasojat vazhdojnë edhe në jetën e të rriturve. Shumë prej tyre hyjnë në marrëdhënie ku përsërisin të njëjtat modele emocionale që kanë njohur në fëmijëri: kontroll, refuzim dhe mungesë vlerësimi.
Kjo, sipas psikologëve, nuk ndodh sepse nuk dinë të duan, por sepse dashurinë e kanë mësuar në një formë të shtrembëruar.
Trauma e vazhdueshme nga kritikat, refuzimi apo idealizimi i tepruar mund të çojë edhe në ankth kronik dhe stres kompleks post-traumatik.
Shumë njerëz nuk e kuptojnë se ajo që kanë përjetuar nuk ka qenë normale, pasi është i vetmi realitet që kanë njohur.
Ekspertët theksojnë se fëmijët nuk kanë nevojë për prindër perfektë, por për prindër emocionalisht të pranishëm, që ofrojnë siguri, mbështetje dhe dashuri pa kushte.