Bota

Kancelarja gjermane Angela Merkel: “Do të bëhen përpjekje që të vazhdojmë me evakuimin edhe pas afatit të caktuar!”

G7 është në kërkim të mundësive për vazhdimin e evakuimit edhe pas datës 31 gusht, pasi rrezikojnë të mos arrijnë t’i nxjerrin të gjithë të kërcënuarit nga Afganistani. Sipas kancelares gjermane, Angela Merkel, presidenti amerikan, Joe Biden, as në samitin e G7-ës nuk dha një datë të re për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Pas samitit ajo u shpreh:

Nuk kemi të reja mbi afatin e tërheqjes së trupave amerikane.

Aleatët evropianë në Londër, Paris dhe Berlin po bëjnë presion për shtyrjen e afatit të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, sepse kjo është mënyra e vetme për të vazhduar operacionin e evakuimit. Ende me mijëra njerëz janë në pritje të largohen nga vendi, pas ardhjes në pushtet të talebanëve. Islamistët militantë, të cilët tani kontrollojnë pothuajse të gjitha pjesët e vendit dhe kryeqytetin Kabul, kanë deklaruar se nuk do të lejonin praninë e trupave amerikanë përtej datës 31 Gusht.

Gjermani deri tani ka arritur të largojë nga Kabuli mbi 4000 vetë. Merkel theksoi se edhe pas përfundimit të operacionit ushtarak, do të bëheshin përpjekje për të nxjerrë aleatët nga Afganistani. Kjo është arsyeja pse tani ka bisedime shumë intensive që aeroporti i Kabulit të vazhdojë të funksionojë për transportin civil, tha kancelarja. Edhe ministri i Jashtëm, Heiko Maas, kishte thënë më parë se për këtë do të flitej edhe me talibanët. Merkel tha se:

Idetë e talebanëve natyrisht luajnë një rol sepse kontrollojnë Kabulin.

Në një bisedë “Bild”, ministri gjerman i punëve të jashtme, Heiko Maas, tha se edhe sikur të zgjatet misioni evakuimit, koha nuk do të mjaftojë për t’i nxjerrë të gjithë. Pas ardhjes në pushtet të talebanëve një javë më parë, shtetet perëndimore kanë punuar nën presion të lartë për të evakuuar qytetarët e tyre, ndihmësit afganë lokalë që kanë punuar për trupat e tyre dhe njerëz të tjerë që janë veçanërisht të kërcënuar nga talebanët. Dhjetëra mijëra tashmë kanë dalë jashtë vendit. Tërheqja e trupave perëndimore pas shtatë ditësh do të linte pas njerëz të panumërt që kanë frikë për jetën e tyre nën sundimin Taleban.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, njoftoi gjithashtu se Gjermania e kishte shtuar ndihmën për refugjatët nga Afganistani. Përveç 100 milionë eurove, që ishin caktuar më parë si ndihmë e shpejtë për refugjatët në dhe përreth Afganistanit, Gjermania do të vërë në dispozicion edhe 500 milionë euro të tjera si ndihma humanitare. Paratë do të menaxhohen nga organizatat ndërkombëtare, tha kancelarja, pasi Gjermania ndërkohë e ka ndërprerë ndihmën në kuadër të politikave zhvillimore. Edhe Komisioni Evropian bëri të njohur të martën se do të vërë në dispozicion 500 milionë euro për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve nga Afganistani.

Ndërkohë, talebanët e përjashtojnë kategorikisht shtyrjen e afatit për largimin e trupave amerikane nga Kabuli. Zëdhënësi i talebanëve, Sabihullah Muxhahid, në Kabul, në një konferencë shtypi ka thënë se:

Afati, për të cilën ramë dakord, përfundon më 31 Gusht. Zgjatja e shkel marrëveshjen. 

Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se afganët nuk do të lejohen më të shkojnë në aeroport.  Muxhahidi akuzoi SHBA-në që po bind afganët e arsimuar  që të largohen nga vendi. Ai i bëri thirrje popullsisë të mos largohet. Në të njëjtën kohë ai njoftoi se talebanët duan të zvogëlojnë turmën në aeroport. Njerëzit duhet të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme.