Bota

Lamtumira e fundit, etapat e funeralit të Mbretëreshës Elizabeta II/Një milion njerëz në Londër!

Pas disa ditëve homazhe, për Mbretëreshën e ndjerë Elizabeta e Dytë sot organizohet funerali shtetëror për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Do të jetë një ceremoni që për nga përmasat nuk është parë në rreth 60 vjet, nga koha e funeralit shtetëror për kryeministrin britanik Winston Churchill. Vetë monarkja ishte kujdesur duke planifikuar detaje personale për t’ia shtuar kësaj dite, sipas burimeve të Buckingham Palace. Në mëngjes, 06:30 me orën lokale e 07:30 me tonën iu dha fund homazheve në Westminster Hall. Në zemër të Londrës, mijëra persona pritën në radhë në shenjë nderimi.

Westminster Abbey hap dyert për të pritur pjesëmarrësit e parë të shërbesës fetare, që fillon në 11:00 me orën lokale. Liderë shtetesh nga e gjithë bota, mes tyre presidenti Bajram Begaj i janë bashkuar anëtarëve të Familjes Mbretërore për të nderuar kujtimin mbi jetën dhe shërbimin e Mbretëreshës. Mes 2 mijë të pranishmëve, edhe politikanë të lartë britanikë e ish-kryeministra të Britanisë së Madhe. Nuk do të mungojnë anëtarë të familjeve mbretërore në Europë, me disa prej të cilëve monarkja kishte lidhje gjaku.

Kur ora të shënojë 10:44, fillon edhe pjesa më intensive ceremoniale. Arkëmorti do të hiqet nga katafalku ku u vendos pasditen e së mërkurës, për t’u dërguar në Westminster Abbey për shërbesën fetare. Zhvendosja bëhet me atë që njihet si Karroca Shtetërore e Armëve të Marinës Mbretërore, e tërhequr nga 142 marinarë. Hera e fundit kur u përdor për një funeral ishte në vitin 1979 kur ndërroi jetë daja i Princit Filip, bashkëshortit të Mbretëreshës.

Më parë, më 1952-shin me të njëjtën karrocë u transportua arkëmorti i Mbretit Xhorxh VI, babai i monarkes së ndarë nga jeta 11 ditë më parë. Pas karrocës do të ecin Mbreti Charles III, djemtë e tij Princ William e Princ Harry, si dhe të tjerë anëtarë të Familjes Mbretërore. Bashkë me anëtarë të Forcës Mbretërore Ajrore dhe Gurkhas (ushtarë nepalezë që prej 200 vitesh janë pjesë integrale e ushtrisë britanike), regjimentet skoceze e irlandeze të gajdeve dhe tamburëve do të kryesojnë ceremoninë. Në anë rreshtohen pjesëtarë të Marinës Mbretërore, ndërsa në sheshin e Parlamentit qëndron një roje nderi.

11:00: 

Për afro një orë, duke nisur nga 11:00, në Abbey mbahet shërbesa fetare për funeralin e Mbretëreshës, në prani të 2 mijë të ftuarve. Kjo është kisha historike ku kurorëzohen mbretërit dhe mbretëreshat e Anglisë. Për Elizabetën e Dytë ky moment u shënua në vitin 1953, 6 vjet pasi në të njëjtin vend u martua me Princin Filip kur ende ishte princeshë. Që nga shekulli i 18-të, aty nuk mbahet shërbesë fetare funerali për një monark, edhe pse në vitin 2002 pati një të tillë për Nënën Mbretëreshë. Në drejtimin e kësaj shërbese do të jenë klerikët e lartë David Hoyle dhe Justin Welby. Pritet edhe një fjalë e kryeministres Liz Truss. 2 minuta heshtje kombëtare dhe ekzekutimi i Himnit mes momenteve që mbyllin shërbesën fetare.

12:15:

Arkëmorti i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë nxirret nga Westminster Abbey për procesionin drejt Wellington Arch në Hyde Park Corner të Londrës. Krahas vargut të njerëzve që do të ecin ngadalë, në sfond pritet të dëgjohet Big Ben që për çdo minutë që kalon do të lëshojë tingullin sinjalizues, ndërsa në Hyde Park, çdo 5 minuta përshëndetja me armë. Publiku mund ta ndjekë nga afër procesionin në zonat e përcaktuara. Me mbërritjen në Wellington Arch, rreth orës 13:00, arkivoli vendoset në automjetin Jaguar Land Rover që përdoret në funeralet e anëtarëve të Familjes Mbretërore Britanike. Me këtë makinë nis udhëtimi për në ndalesën e fundit, Kështjellën Windsor. Kjo kështjellë e banuar nga 40 monarkë në rreth 1 mijë vite ka patur domethënie të veçantë për Mbretëreshën. Kur ishte adoleshente në vitet e Luftës së Dytë Botërore, u dërgua atje pasi Londra rrezikohej nga bombardimet. Gjithashtu e zgjodhi si vendqëndrim fiks në kohën e masave anti-COVID.

Ora 15:00 

Në Kështjellën Windsor një tjetër procesion, si dhe përshëndetja me armë që i paraprin një shërbese fetare, kësaj here në kishën St.George, ku Familja Mbretërore organizon dasma, pagëzime e funerale. Aty u martuan Princ Harry dhe Meghan në vitin 2018, si dhe u zhvillua funerali i Princit Filip, rreth një vit e gjysmë më parë. Mes 800 të pranishmëve priten akte që simbolizojnë fundin e mbretërimit të Elizabetës. Shërbesa përfundon rreth orës 16:45.

Gjithçka përmbyllet në mbrëmje kur më 19:30, 20:30 në Shqipëri, në prani të familjarëve, Elizabeta e Dytë përcillet në banesën e fundit e do të prehet pranë bashkëshortit të ndjerë, Dukës së Edinburgut në memorialin Mbreti Xhorxh VI, në brendësi të Kishës St.George. Në pllakën e mermerit janë gdhendur emri Elizabeta II dhe vitet e lindjes e të vdekjes 1926-2022.