Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se kryeministri britanik Keir Starmer e ka të vështirë t’i mbijetojë krizës politike që ka përfshirë qeverinë e tij.
Presidenti amerikan u përfshi në debatin midis udhëheqjes së Partisë Laburiste teksa fliste me gazetarët në bordin e Air Force One, ndërsa kthehej nga samiti dy-ditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.
Ai sulmoi politikat e Starmer për migracionin dhe energjinë, duke pretenduar se refuzimi i liderit britanik për të bërë shpime në Detin e Veriut kishte çuar në rritje të kërkesave për dorëheqjen e tij. I pyetur nëse Starmer mund t’i mbijetonte trazirave, Trump tha:
“Është një gjë e vështirë, përveç nëse ai mund ta rregullojë çështjen e imigracionit, ku është i dobët, dhe nëse nuk fillon shpimet dhe nuk ndalet me mullinjtë e erës kudo… ai duhet të hapë Detin e Veriut.”
Trump e ka sulmuar vazhdimisht kryeministrin britanik pasi ai refuzoi të bashkohej me luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Starmer fillimisht e bllokoi Amerikën nga përdorimi i një baze ushtarake në Diego Garcia, në Ishujt Chagos, për të nisur sulme kundër Teheranit, një vendim që ai u detyrua ta tërhiqte më vonë.
Kryeministri britanik po lufton për mbijetesë politike, ndërsa përpiqet të shuajë rebelimin në rritje të Partisë Laburiste, i cili ka bërë që Wes Streeting të japë dorëheqjen si sekretar i shëndetësisë dhe gati njëqind deputetë të bëjnë thirrje që ai të japë dorëheqjen.