Aktualitet

Moti i keq “mbërthen” gjithë Shqipërinë, policia apel drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve: Kini kujdes!

Moti i keq ka përfshirë vendin tonë këtë të premte, ndërsa reshjet e stuhitë e forta të erës kanë shkaktuar edhe rrëzim të pemëve apo dëme të tjera.

Policia e shtetit apelon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, për kujdes të shtuar.

“Nisur nga moti i keq, me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë, Policia Rrugore apelon për: Kujdes maksimal për përdoruesit e rrugës.

Moderoni shpejtësinë, pasi në  disa akse rrugore ka prezencë të  ujit; Jepini përparësi këmbësorëve dhe respektoni sinjalistikën rrugore; Mos përdorni telefonin gjatë drejtimit të mjetit dhe vendosni rripin e sigurimit; Mos kryeni parakalime të gabuara.

LEXO EDHE: Situatë alarmante në Qarkun e Shkodrës/ Bllokime rrugësh dhe mungesë energjie në shumë zona pas reshjeve të dendura

Drejtuesit e motomjeteve, biçikletave dhe monopatinave: Të veshin jelek fosforeshent gjatë natës për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore. Këmbësorët: Të tregojnë kujdes maksimal kur kalojnë nga njëri kah i rrugës në tjetrin”, njofton policia.

Për shkak të kushteve të motit të keq, që përfshijnë erë të fortë dhe shi të pandërprerë, disa zona të Tiranës kanë përjetuar rënie të pemëve dhe degëve, duke bllokuar disa rrugë dhe duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka njoftuar se ekipet e pastrimit janë duke punuar intensivisht për të pastruar rrugët dhe rikthyer normalitetin sa më shpejt.

Për shkak të kushteve të motit, Veliaj ka kërkuar nga qytetarët që të kufizojnë lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat ku janë shkaktuar dëme.

“Ju lutem, shmangni qarkullimin e tepërt dhe raportoni çdo problematikë që mund të hasni,” tha ai.