Aktualitet

Rekord infektimesh e viktima nga koronavirusi në vend, por për ekspertët: “Situata nën kontroll”

Ndërsa në Shqipëri vazhdon prej javësh situata e rënduar nga koronavirusi, shpresat janë te vaksinat anti-COVID, si dhe te ngrohja e motit, për uljen e virulencës. Mbrëmë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” mbërriti kontigjenti i radhës prej mbi 15 mijë dozash të “Pfizer”-it e “BioNTech”-ut, duke e çuar totalin e dërgesave në më tepër se 22 mijë ndërsa shteti ka firmosur kontratë për 500 mijë. Prej rreth dy muajsh vaksinimit kundër koronavirusit po i nënshtrohet personeli shëndetësor e moshat e treta. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se së shpejti do të vijnë doza të tjera të vaksinave që mbrojnë nga virusi. Synim kryesor është ndërprerja e zinxhirit të infektimeve pasi sezoni veror turistik është afër.

Vetëm në shkurt, koronavirusi iu mori jetën 423 personave në Shqipëri duke e çuar në mbi 1 mijë e 800 totalin e viktimave, shifra aspak të papërfillshme në një vend me 2.8 milionë banorë e që po shënon rekord infektimesh.

56% e rasteve janë persona nën 50-vjeç. 19% e tyre i përkasin grupmoshës 30-39/vjeç”. Tirana kryeson listën e “vatrave të nxehta” e nuk mbeten pas Fieri, Durrësi, Vlora, Shkodra, Lezha, Gjirokastra, Elbasani dhe Korça. Rreth 36 mijë rezultojnë infektime aktive me COVID-19.

Situata në spitalet anti-Covid në Tiranë e ato rajonale paraqitet e rënduar por autoritetet shëndetësore e konsiderojnë “nën kontroll”. Të dhënat e fundit shihen nga ekspertët si “në kufijtë e normës” e sipas tyre, “masat e deritanishme kufizuese kanë dhënë rezultate pozitive”.