Bota

Rikthimi i Donald Trump-it në CNN, një debat plot me refuzime e pa pendesa për ngjarjet e forta!

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump këmbënguli në qëndrimin e tij për zgjedhjet e vitit 2020, minimizoi dhunën e 6 janarit 2021, refuzoi të shprehet qartë për luftën në Ukrainë dhe sfidoi përfundimin e jurisë që e shpalli përgjegjës për abuzim seksual ndaj ish-gazetares E.Jean Carroll.

Në një debat në shtetin Nju Hampshër të organizuar nga televizioni CNN, të drejtuar nga gazetarja Kaitlan Collins e me një audiencë republikane dhe të pavendosurish, Trump vazhdoi të këmbëngulte se zgjedhjet ishin “të manipuluara”, edhe pse zyrtarët e shumë gjykata i kanë hedhur poshtë akuzat.

Gjithashtu, në mënyrë të përsëritur, Trump minimizoi dhunën e shkaktuar nga turma e mbështetësve të tij që sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021, në një përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden. Ai tha se është i prirur të falë një pjesë të madhe të të pandehurve të 6 janarit nëse rizgjidhet.

Ndërkaq, shtoi se nuk ka pse t’i kërkojë falje ish-zv.presidentit të tij, Mike Pence, i vendosur në shënjestër të turmës.

Pence gaboi.

Përsëri, ish-presidenti këmbënguli se nuk e njeh Carrollin, megjithëse e sulmoi ashpër. Në mënyrë të përsëritur refuzoi të thonte nëse do të nënshkruajë një ndalim federal të abortit në rast se do t’i takonte atij të firmoste.

Unë do të negocioja që njerëzit të jenë të kënaqur. Unë kërkoj një zgjidhje funksionale.

Trump refuzoi të bënte të ditur nëse dëshiron që Ukraina të fitojë luftën ndaj Rusisë. Moderatorja Collins e pyeti nëse ai e mbështet Ukrainën?

Unë nuk mendoj se kush fiton dhe kush humbet. Unë mendoj si ta zgjidhim në mënyrë që të ndalim vrasjet.

Debati që shënoi dhe kthimin e Donald Trump-it në CNN ishte i tensionuar. Ish-presidenti e ka sulmuar vazhdimisht rrjetin televiziv dhe në debat e ofendoi gazetaren Collins. Por, ftesën nga CNN-i, ekipi i tij e pa si një mundësi për të tërhequr një grup më të gjerë votuesish.