Bota

Lufta/ Mediat: Raketa iraniane goditi bazën ushtarake të Kuvajt, plagosen 5 amerikanë! Trump ende pa vendim për konfliktin me Iranin

Një sulm me raketa balistike iraniane në një bazë ajrore kuvajtiane dy netë më parë shkaktoi lëndime të lehta për disa amerikanë dhe dëmtoi rëndë dy dronë amerikanë MQ-9 Reaper, raporton Iran International, duke cituar Bloomberg.

Burimi i Bloomberg tha se mbrojtja ajrore kuvajtiane interceptoi raketën Fateh-110, por mbeturinat që ranë goditën bazën ajrore Ali Al Salem. Rreth pesë persona, përfshirë kontraktorë dhe personel ushtarak aktiv, pësuan lëndime të lehta. Një MQ-9 Reaper u shkatërrua dhe të paktën një tjetër u dëmtua rëndë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump mblodhi dje në Dhomën e Situatave ekipin e tij të sigurisë për të marrë një vendim përfundimtar lidhur me luftën kundër Iranit. Mbledhja ka mbaruar, por Trump ende nuk ka shpallur vendimin e tij zyrtarisht.

Ndërkohë Izraeli vijon sulmet ajrore drejt Libanit Jugor ku 11 persona kanë mbetur të vdekur e 8 të tjerë të plagosur. Ushtria izraelite ka lëshuar një tjetër urdhër evakuimi për banorët e 7 fshatrave në Libanin Jugor.

“Në dritën e shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit nga organizata terroriste Hezbollah, Forcat Mbrojtëse të Izraelit janë të detyruara të veprojnë me vendosmëri”, tha zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit në gjuhën arabe.