Dilema Sociale Sociale

Të rinj me rroga $4000 muaji?! Çepani: “Ne marrim punonjës nga Filipinet sepse të rinjtë shqiptarë nuk punojnë”

Disktuam rreth ‘Dilemës së dembelëve’ mbrëmjen e kaluar në “Dilema Sociale” me Eno Popin. Nisur nga një kërkim studimor i bërë së fundmi ku tregohet se një përqindje e madhe e të rinjve shqiptarë u bëjnë bisht punës, nëpërmjet një analize në studio donim t’i jepnim përgjigje pyetjes se përse ndodh kjo.

I ftuari i parë që iu bashkua këtij diskutimi për mikrofonin e Top Albania Radios ishte fituesi i “Big Brother Albania 1” dhe tashmë sipërmarrësi i suksesshëm, Arbër Çepani.

Si një individ i cili gjithmonë ka punuar fort dhe i është përkushtuar pa kompromise karrierës së tij, Arbri u shpreh se ka shumë arsye përse të rinjtë në Shqipëri janë të demoralizuar sa i përket punës. Ai theksoi se ka një mungesë të madhe përkushtimi të të rinjve, kjo pasi janë të verbuar nga shembujt negativë që tregojnë se të bëhesh milioner ndodh edhe brenda natës.

Një pikë e diskutimit ishte dhe deklarata e kryeministrit të vendit i cili u shpreh se në Korçë ka të rinj që fitojnë deri në 4000 dollarë çdo muaj nga punët online. Arbri theksoi se të rinjtë e marrin për të mirëqenë këtë fakt dhe punët me një pagesë prej 300-400 mijë lekësh të reja në muaj, nuk u hyjnë aspak në sy.

Për këtë arsye, në një ndër bizneset e tij, gjatë sezonit të kaluar veror ai u detyrua të punësojë një grup filipinezësh për të bërë ato punë që të rinjtë shqiptarë i refuzojnë pasi janë gjithmonë në kërkim të diçkaje më të madhe. Çepani këmbëngul që të gjithë të rinjtë shqiptarë duhet t’i përkushtohen të gjitha llojeve të punës dhe t’i shohin ato si një eksperiencë më shumë sesa thjeshtë të presin që të bëhen milionerë nga hiç-i.