Aktualitet Lajmet e fundit

Zbardhet plagosja e 38-vjeçarit me sende të forta në Kamëz, në kërkim 2 autorë! (EMRAT)

Dy persona janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar për plagosjen e 38-vjeçarit me sende të forta në Kamëz një ditë më parë. Bëhet fjalë për shtetasit Marjo Boja dhe Ersjon Boja, kushërinj me njëri-tjetrin.

Në njoftimin zyrtar të policisë, sqarohet se 38-vjeçari, Redi Vata është plagosur me sende të forta. Ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak, që u gjetën në banesën e njërit prej autorëve të dyshuar.

Në kërkim u shpallën shtetasit të moshës 26 vjeç dhe 30 vjeç, cilët dyshohet se dje, rreth orës 10:00, në rrugën “OSBE”, për motive të dobëta, i kanë prerë rrugën, me automjet, 38-vjeçarit Redi Vata, dhe e kanë goditur atë, me sende të forta.

I dëmtuari mori mjekim dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit 26 vjeç, policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë (me leje) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim automjeti tip “Benz” me të cilin dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, 2 autorët e dyshuar.

Njoftimi i plotë:

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, autorë të dyshuar për plagosjen e një 38-vjeçari, me sende të forta.

Sekuestrohen 1 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak, që u gjetën në banesën e njërit prej autorëve të dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “OSBE”, një shtetas ishte goditur me sende të forta, organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, të cilët dyshohet se dje, rreth orës 10:00, në rrugën “OSBE”, për motive të dobëta, i kanë prerë rrugën, me automjet, shtetasit R. V., 38 vjeç, dhe e kanë goditur atë, me sende të forta. I dëmtuari mori mjekim dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. B., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë (me leje) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim automjeti tip “Benz” me të cilin dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, 2 autorët e dyshuar.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për gjetjen e automjetit dhe për dokumentimin ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.