Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj videove të publikuara nga Taulant Balla me emigrantë në mbështetje të qeverisë, duke i cilësuar ato si përpjekje propagandistike që nuk mund të fshehin pakënaqësinë qytetare. Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa thekson se protesta madhështore e diasporës më 20 qershor në Tiranë, si dhe protestat e shqiptarëve në qytete të ndryshme të botës, treguan forcën reale të diasporës dhe të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Sipas saj, përpjekjet për të vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit dhe për të relativizuar revoltën qytetare janë metoda të vjetra të pushtetit, ndërsa nënvizon se protesta 22-ditore ka dëshmuar se qytetarët po bashkohen në mbrojtje të të drejtave dhe interesit publik.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Ulërima e Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar, se pse deputetët nuk po e mbrojnë mjaftueshëm në rrjetet sociale dhe nuk po fitojnë “luftën me algoritmin”, duket se ka dhënë efektin e saj. Sot janë lëshuar të gjithë me video e statuse nga më të ndryshmet, edhe pse nuk ka algoritëm që i shpëton nga gjykimi i shqiptarëve, të cilët ua kanë bërë tashmë vlerësimin.
Një nga përpjekjet më mediokre është publikimi i disa videove me emigrantë të lumtur me Ramën dhe kundër protestës. Ndërkohë, protesta madhështore e diasporës më 20 qershor në Tiranë, si edhe protestat e zhvilluara në qytetet kryesore të botës, treguan forcën reale të shqiptarëve kudo që jetojnë. Ato dëshmuan se pakënaqësia nuk është as e sajuar dhe as e izoluar, por një zë i gjerë qytetar që kërkon të dëgjohet.
Pikërisht për këtë arsye, përpjekjet për të nxjerrë disa video propagandistike me emigrantë në mbështetje të qeverisë nuk e zbehin dot realitetin. Ato nuk i japin përgjigje asnjë shqetësimi të ngritur nga protestuesit dhe nuk e fshehin dot faktin se mijëra shqiptarë kanë zgjedhur të ngrihen në mbrojtje të interesit publik.
Akoma më e rëndë është tentativa për t’i vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, duke paraqitur mendimin e disave si kundërpeshë të revoltës së shumëkujt. Kjo është një metodë e vjetër e çdo pushteti që ndihet i kërcënuar nga zëri qytetar: përça për të sunduar.
Forca e protestës 22-ditore dhe, në veçanti, ajo e 20 qershorit, tregoi pikërisht të kundërtën e asaj që përpiqet të shesë propaganda: shqiptarët bashkohen kur ndihen të cenuar në të drejtat e tyre.
Kur qindra mijëra qytetarë flasin me zërin e protestës, askush nuk mund ta zëvendësojë atë realitet me disa video të përzgjedhura për konsum politik. Zëri i qytetarëve është gjithmonë më i fortë se propaganda.