Aktualitet Politikë

Një grup protestuesish vijon të qëndrojë që prej mbrëmjes së djeshme përpara Kryeministrisë, policia i paralajmëron!

Një grup protestuesish qëndrojnë prej mbrëmjes së djeshme përpara Kryeministrisë, në vijim të protestës së pasdites, e 21-ta radhazi.

Policia e Shtetit iu bëri thirrje protestuesve të respektojnë ligjin, duke i paralajmëruar për paligjshmërinë e bllokimit të Bulevardit.

Në protestë kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Dhjetëra mijëra qytetarë pushtuan Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, teksa fjalimet u mbajtën poshtë Kryeministrisë.

Pjesë e protestës u bënë edhe mijëra shqiptarë nga Diaspora. Në thirrjet e tyre, i dhanë afat kryeministrit Rama që të japë dorëheqjen brenda ditës së sotme. Po ashtu vijuan me thirrjet kundër Sali Berishës dhe asaj që e quajnë “politikë e vjetër”.

Pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetja Marjana Koçeku iu bashkua protestës në Tiranë. Më 14 qershor, përmes rrjeteve sociale, Koçeku shpalli shkëputjen nga shumica që e çoi në Kuvend, në zgjedhjet e kaluara.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi largime të tjera nga radhët e socialistëve, por tha se pavarësisht zhurmës së protestave, Partia Socialiste nuk do të ndryshojë kurs. Gjatë mbledhjes së grupit, Rama deklaroi se nuk synon që të jetë i pëlqyer, por i dobishëm për vendin.