Aktualitet Rajoni

Zjarri që la pas 59 të vdekur dhe 155 plagosur, presidentja e RMV: Askush nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë!

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova në një konferencë të jashtëzakonshme foli për zjarrin në një diskotekë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë.

Përveç të tjerash, ajo tha se duhet të ketë përgjegjësi për këtë tragjedi, ku theksoi se asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e një të riu.

“E di dhe ndjej se nuk jemi vetëm. Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova, teksa theksoi se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë dhe nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë.

“Të bashkojmë forcat, të mos sakrifikojmë më kurrë për përfitimin e individëve, asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e një të riu”, përfundoi presidentja e RMV-së.

Tre prej 20 të plagosurve rëndë nga gjithsej 155 të tragjedisë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut janë transportuar të intubuar në spitalin Papanikolaou të Selanikut.

LEXO EDHE: “Motra ime ka humbur, nuk po e gjejmë në asnjë spital”/ Të mbijetuarit e tragjedisë në Koçan rrëfejnë tmerrin e përjetuar: Trupa të djegur…

Ata trajtohen në repartin e kujdesit intensiv të djegieve të këtij spitali. Ambulancat nga vendi fqinj kanë mbërritur rreth orës 5.30 të pasdites në qytetin verior të Greqisë të shoqëruara me motoçikleta policore. Autoritetet spitalore kanë deklaruar se janë të gatshme të presin edhe raste të tjera në se është e nevojshme. Prej çasteve të para ministria e Jashtme greke ka komunikuar me autoritetet në Shkup duke ofruar ndihmë spitalore.

Ndërkohë presidenti i ri i Greqisë, Konstantinos Tasoulas i shprehu homologes së tij të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ngushëllimet më të thella të popullit grek dhe të tij personalisht për viktimat e tragjedisë së papërshkrueshme në qytetin e Koçanit.

Presidenti Tasoulas u uroi shërim të shpejtë të plagosurve dhe e siguroi homologen Davkova se Greqia do të japë të gjithë ndihmën e nevojshme.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis gjithashtu ka dërguar ngushëllimet e tij të sinqerta për popullin e Maqedonisë së Veriut dhe për jetët e humbura në ngjarjen tragjike të qytetit Koçan me një postim në llogarinë e tij në rrjetin X.

“Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre si dhe me të lënduarit të cilëve ju uroj shërim të shpejtë. Greqia është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë”, theksoi Mitsotakis.