Tech Top Tech - News

1.25 miliardë$ për makina që drejtohen vetë pa shofer: Uber bën lëvizjen e madhe për…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

E po ky Uber-i… sa shumë lekë paska pasur! Nuk mjaftoi me një revolucion, tani ka hyrë në një tjetër — këtë herë bashkë me Rivian për të bërë… robotaksi. Aman, mezi presim të vijë njëherë në Tiranë, ta shohim si kalon në “Bllok” në orën 9 të darkës.

Pra lajmi është ky: Uber do investojë deri në 1.25 miliardë dollarë tek Rivian për të nxjerrë në rrugë deri në 50 mijë robotaksi. Fillimisht 10 mijë makina autonome, pastaj — nëse çdo gjë shkon sipas planit — mund të shkojnë deri në 50 mijë. Starti? San Francisco dhe Miami në 2028, pastaj zgjerim në 25 qytete deri në 2031.

Tani imagjinoje pak: porosit Uber, të vjen makina… dhe nuk ka njeri brenda. Vetëm ti, makina dhe heshtja… që për ne shqiptarët është pak e çuditshme, se jemi mësuar me muhabet gjatë gjithë rrugës.

Rivian po sjell teknologjinë — makina me kamera, radarë, LiDAR, super-kompjuter brenda që mendon më shpejt se ne kur zgjedhim restorante. Uber më pas sjell klientët dhe platformën. Pra kombinim perfekt: njëri di të ndërtojë makinën, tjetri di të mbushë makinën me njerëz.

Dhe këtu është thelbi: kjo nuk është thjesht teknologji, është ndryshim kulture. Nga “kam makinën time” në “pse të blej makinë kur mund ta thërras kur dua?”.

Tani pyetja reale: a do funksionojë kudo njësoj? Sepse San Francisco është San Francisco … dhe Tirana? Vendi ku semafori është më shumë sugjerim se rregull.