16% e punonjësve shqiptarë punojnë më pak se 10 orë në javë, shumë më tepër se Rajoni, siç referon një studim i Fondit Europian të Trajnimeve i publikuar së fundi. Të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e punonjësve në vendin janë të nën-punësuar dhe të ardhurat që sigurojnë janë tërësisht të pamjaftueshme.
Anketa vëren se shumica e punonjësve në Ballkan kanë orare të rregullta pune, kryesisht ndërmjet 30 dhe 49 orëve në javë. Megjithatë, 8% e të punësuarve në Maqedoninë e Veriut, 14% në Shqipëri dhe Kosovë punojnë më gjatë se 50 orë në javë.
Siç tregojnë të dhënat, Shqipëria i ka dy ekstremet me çerekun e punonjësve që punojnë vetëm 2 orë në ditë, ndërsa 14% e punonjësve punojnë më shumë se 50 orë në javë, ndër nivelet më të larta rajonale. Punonjësit që punojnë në bujqësi, ndërtim dhe turizëm rrinë më gjatë në punë.
Gjithashtu, rreth një e treta e punonjësve në Ballkanin Perëndimor janë të ekspozuar ndaj rreziqeve në vendin e punës, të tilla si kushtet jo të përshtatshme dhe pajisjet. Bosnja kryeson rajonin për përqindjen e lartë të punonjësve me kushte jo të përshtatshme (34%) dhe Serbia (33%), Shqipëria 29% e Maqedonia e Veriut 28%.
Anketa ka vërejtur se një pjesë gjithnjë më e madhe e të punësuarve punojnë larg vendbanimit të tyre dhe kjo tendencë është në rritje. Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria kanë përqindjen më të lartë të punonjësve larg vendbanimit (36%), Shqipëria 33% dhe Kosova më të ulëtën, 21%.
Punonjësit me arsim të lartë kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga puna në distancë, por ky grup përfshin gjithashtu punëtorë krahu në ndërtim e sektorët e bujqësisë. Anketa e ETF-së, me rreth 1 mijë të punësuar në Shqipëri tregoi se prevalenca e punësimit informal është e lartë në vendet e Ballkanit dhe sidomos në vendin tonë.
Përqindja e punëtorëve pa kontratë, varionte nga 20% në Shqipëri, në 6% në Serbi, ndërsa ishte vetëm 2% në BE. Kjo situatë është veçanërisht shqetësuese pasi lë një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore në punë të pasigurta. Tregu i punës në vendin tonë ka problematika të shumëfishta që lidhen me informalitetin e lartë, pagat e ulëta dhe mospërputhje të aftësive me nevojat e tregut të punës./Monitor