Bota

Evropa duhet të durojë të nxehtin deri në fundjavë!

Një valë e fortë e të nxehtit ka përfshirë Evropën Perëndimore dhe Qendrore, duke detyruar autoritetet në Francë, Spanjë, Itali, Gjermani dhe disa vende të tjera të shpallin alarmet më të larta të motit, ndërsa temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius.

Në Francë, më shumë se gjysma e rajoneve janë nën alarm të kuq.

Meteorologët parashikojnë temperatura deri në 42°C në Bordo, ndërsa 845 shkolla janë mbyllur dhe qindra të tjera kanë shkurtuar orarin mësimor.

Tragjikisht, dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç u gjetën të vdekur brenda makinës së familjes së tyre në jug të Francës.

Autoritetet dyshojnë se ngjarja lidhet me temperaturat ekstreme, të cilat në zonë arritën deri në 39°C. Edhe Spanja po përballet me temperatura të larta rekord.

Shërbimi meteorologjik “Aemet” paralajmëroi se temperaturat mund të ngjiten deri në 44°C, ndërsa në rajon është shpallur alarmi i kuq.

Në Itali janë vendosur alarme të kuqe për 12 qytete, përfshirë Milanon, Torinon, Venecian, Bolonjën, Firencen dhe Romën, pas disa ditësh me temperatura mbi 35°C.

Ndërkohë, në Gjermani temperaturat kanë arritur deri në 38°C, ndërsa pesë persona humbën jetën gjatë fundjavës në aksidente gjatë notit.

Në Greqi, zjarrfikësit po luftojnë me një zjarr të madh pyjor, të favorizuar nga moti i nxehtë dhe erërat e forta.

Meteorologët thonë se masat e ajrit të nxehtë që vijnë nga Shkretëtira e Saharasë po ushqejnë këtë valë të të nxehtit, e cila mund të rezultojë ndër më të gjatat e viteve të fundit.

Kulmi i temperaturave pritet të arrihet sot, me deri në 41°C në Paris.

Autoritetet franceze paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të jetë “e përhapur, afatgjatë dhe intensive”, ndërsa rënia e temperaturave nuk pritet para fundit të javës.