Ekstradohet nga Gjermania në Shqipëri, Arbër Çekaj, pronari i kompanisë në kontenierët me banane të së cilës u kapën 613 kg kokainë kolumbiane. Sekuestrimi u bë në Shkurt të 2018-ës, në Portin e Durrësit. Menjëherë më pas, Çekaj u arratis drejt Gjermanisë ku dhe kërkoi azil politik, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohej jeta. Për shkak se një gjykatë gjermane i miratoi ekstradimin, ai vendosi ta apelonte vendimin, por më pas u tërhoq dhe sot i akuzuari nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik droge, mbërriti me avion në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit.