Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç akuza studentëve protestues se kanë bërë “thirrje të drejtpërdrejtë për konflikt civil dhe sulme ndaj policisë”. Vuçiç iu referua zhvillimeve të djeshme, në fund të një proteste në sheshin Sllavija të Beogradit. Në një konferencë shtypi me ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiç, kërkoi nga Prokuroria që “të bëjë punën” e siç theksoi, “të mos sillet si e paaftë dhe naive”.
Ndërkaq, përgëzoi policinë për atë që e quajti “sjellje profesionale” dhe “dëshirë që t’i mposhte sulmuesit me përdorim minimal të forcës”.
Natyrisht që do të ketë më shumë arrestime për sulmet ndaj policisë. Ky nuk është fundi. Janë duke u identifikuar edhe individë të tjerë. Agjencia për Sigurinë e Informacionin po punon në këtë drejtim.
Për protestën e djeshme u ndaluan 77 persona dhe 48 policë u plagosën, raportoi ministri Daçiç.
Përleshjet e para mes disa protestuesve dhe policisë nisën në orën 21:42. Një zyrtar policor ka lëndime të rënda në kokë.
Referuar të dhënave zyrtare, 22 vetë janë shtruar në qendra spitalore. Dy kanë plagë serioze.
Disa protestues dhe policia u përleshën në qendër të Beogradit pas përfundimit të protestës së studentëve në sheshin Sllavija. Sipas të dhënave paraprake të Arkivit të Tubimeve Publike, 140 mijë vetë u mblodhën në protestën “Shihemi për Vidovdan”. Ministria e Brendshme serbe pretendon se në protestë morën pjesë 36 mijë persona.
Studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe heqjen e një kampi në qendër të qytetit, i vendosur nga studentë që kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve dhe mbështesin presidentin Vuçiç.
Studentët i kanë bllokuar universitetet prej nëntorit të kaluar, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti. Krahas protestës së studentëve, dje u mbajt edhe një manifestim i mbështetësve të presidentit Vuçiç, të cilët organizuan një “mbrëmje letrare”.