Dje në mbrëmje, policia serbe hodhi gaz lotsjellës drejt protestuesve të mbledhur para një kordoni policor afër Presidencës së Serbisë, në përfundim të një proteste të organizuar nga studentët. Më herët, u organizuan dy protesta: e para nga studentët që kanë bllokuar universitetet në nivel shtetëror prej fundit të 2024-ës e kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe e dyta nga ata që deklarojnë se mbështesin presidentin Vuçiç.
Pasi protesta e studentëve në sheshin Sllavija u shpall zyrtarisht e mbyllur, persona të maskuar u përleshën me policinë në kryeqytetin serb. Forcat e rendit u goditën me shishe e të tjera sende. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, dënoi ashpër “sulmet ndaj efektivëve”.
Do të marr të gjitha masat për të rikthyer rendin publik e që të gjithë ata që sulmuan policinë, të ndiqen penalisht.
Para se të shpërthente dhuna, presidenti Vuçiç publikoi një video nga Parku i Pionierëve, ku janë mbledhur studentët pro tij, duke thënë se “bllokuesit humbën”.
Studentët fituan, bllokuesit humbën. Krenar me këta të rinj.
Sipas tij, në protestën e djeshme pati tre herë më pak njerëz se më 15 mars, kur u mbajt një protestë masive.
Studentët do të kthehen në universitete. Falënderoj ata që i kundërshtojnë bllokadat.
Studentët bëjnë përgjegjës institucionet për shembjen e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e vitit të kaluar e që rezultoi me vdekjen e 16 personave. Nga qeveria kërkojnë që t’i dërgojë presidentit Vuçiç një propozim për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Kërkesa e dytë është ndërprerja e tubimit të mbështetësve të qeverisë, të cilët deklarojnë se duan të mësojnë. Autoriteteve iu patën dhënë ultimatum deri dje në orën 21:00 për plotësim të kërkesave. Por, dy ditë më parë, Vuçiç bëri të qartë se “ultimatumi nuk është pranuar”.
Ditë më parë, u arrestuan gjashtë persona për përgatitje të “përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetutës”. Autoritetet i patën akuzuar organizatorët e protestës se ishin “duke u përgatitur për dhunë”. Në anën tjetër, studentët kanë deklaruar se me veprimet e tyre, deri tani kanë treguar se janë kundër çdo forme dhune.