Të gjithë ne kemi shijuar ditë të tëra në plazh, të shtrirë në rërë duke u rrezitur dhe dëgjuar tingujt e detit. Por a e keni menduar ndonjëherë se nga vjen kjo rërë, si është krijuar?. Përgjigja në fakt është e thjeshtë: Erozioni.
Erozioni është fenomeni i gërryerjes së një objekti nga forcat natyrore. Në këtë rast, erozioni i gurëve dhe shkëmbinjve krijon rërën që e shijojnë njerëzit anembanë botës.
Në shumicën e rasteve, procesi ka filluar nga malet. Forcat natyrore si era dhe uji kanë shkaktuar erozion në male gjatë miliarda viteve. Gurët vazhdimisht janë thyer në grimca më të imta dhe kanë udhëtuar poshtë nga malet përmes rrjedhave të lumenjve deri kanë arritur poshtë në oqean.
Gjithashtu edhe valët vazhdimisht shkaktojnë erozion në këto grimca deri sa ato ndahen në pjesë edhe më të vogla duke u bërë rërë.
Ekspertët thonë se çdo grimcë rëre ka një histori të vetën në tokë. Ajo është pjesë e një cikli shumë të gjatë që fillon larg nga deti dhe bregu. Sipas studiuesve, rëra në çdo plazh të tokës është e veçantë sepse ka ardhur nga një vend tjetër. Në shumicën e rasteve, përbërja e një rëre mund të kuptohet nga ngjyra.
Një pjesë e madhe e plazheve kanë rërë ngjyrë bezhë, por ka edhe të tilla më të rralla me ngjyrë të zezë, rozë ose të bardhë. Kjo varet se nga ka ardhur rëra.
Rëra bezhë vjen nga oksidi i hekurit, ndërsa rëra e zezë nga materialet vullkanike. Sa u përket plazhet me rërë rozë, ato e marrin ngjyrën nga disa organizma të quajtur foraminifera, që janë njëqelizorë me mbulojë të kuqe.
Rëra e bardhë vjen nga nivelet e larta të kuarcit, por gjithashtu mund të jetë pasojë e jashtëqitjeve të peshqve.