Domate, speca dhe vezë janë disa prej produkteve që protestuesit kanë marrë me vete në tubimin e sotëm, me synimin për t’i hedhur ndaj deputetëve dhe ministrave.

Në Kuvendin e Shqipërisë, sot diskutohet mundësia e dy seancave plenare, që do të ishin të fundit të këtij sesioni parlamentar dhe ndërkohë protestohet. Kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm në Parlament.

Policia e përforcuar në radhët e saj, me rreth 1 mijë e 500 efektivë në terren, ka marrë masa duke bllokuar të gjitha hyrjet që të çojnë për te selia e Parlamentit.

Qytetarët e pranishëm në protestë nuk lejohen të afrohen.

Kjo ka çuar edhe në momente përplasjesh në tentativën për të çarë kordonin policor. Nga ana e bluve që përdorën edhe spraj me piper ka disa të shoqëruar, mes tyre Arben Kola. Vezë dhe domate u hodhën drejt efektivëve.
Protestuesit thërrasin:
Dorëheqje!

Protestuesit tentuan bllokimin e qarkullimit teksa më herët marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Disa prej deputetëve të Partisë Socialiste hynë në Kuvend para nisjes së seancës.
