Bota

A ka nevojë për garanci amerikane, forca europiane në Ukrainë?

Ndërsa shefat ushtarakë të 30 vendeve europiane dhe jo vetëm u mblodhën në afërsi të Londrës këtë javë, për të diskutuar mbi një mision ushtarak në Ukrainë, ish-shefi i ushtrisë amerikane në Europë, Ben Hodges, i tha Radios Evropa e Lirë se këto shtete mund të formojnë misionin, pa ndihmën amerikane. Ukraina e ka ndalur Rusinë pothuajse vetëm, u shpreh gjenerali në pension.

Ushtarët që ndër vite kam takuar në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Holandë, Finlandë e Poloni, janë gra dhe burra të kualifikuar e me pajisje të mira.

Britania dhe Franca janë në krye të përpjekjeve për të krijuar një forcë ushtarake që do të angazhohej në Ukrainë, në rast të ndonjë armëpushimi, por kanë sugjeruar se për këtë forcë, jetike janë ato që kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka quajtur “garanci amerikane”.

Kërkesa duket se lidhet me nevojën për mbështetje ajrore, logjistike e të Inteligjencës. Megjithatë, Uashingtoni është treguar i ftohtë ndaj idesë së përfshirjes së ushtrisë amerikane, teksa Moska ka thënë se çdo prani e forcave prej vendeve anëtare të NATO-s, nuk do të ishte e pranueshme. Hodges shtoi:

Duke gjykuar nga bisedat mes palës amerikane dhe asaj ruse, besoj se nuk ka pothuajse asnjë mundësi që Amerika t’i ofrojë ato garanci. Nuk besoj se kjo administratë ka gatishmërinë për ta bërë këtë. E gjithë biseda mes palës amerikane dhe asaj ruse nuk lidhet me realitetin se kush është Rusia.

Hodges i tha Radios Evropa e Lirë se forcat bërthamore britanike dhe franceze, ndonëse në numër shumë më të vogël se ushtarët rusë, mund të shërbejnë si forcë parandaluese.

Nuk ka nevojë që të barazohen me secilën raketë ruse për t’i penguar.

Një tjetër detaj që po diskutohet ka të bëjë me rregullat e angazhimit.

Nëse forca do të jetë 50-100 kilometra pas ukrainasve dhe ata do të duhet të kërkojnë leje prej Brukselit për të rrëzuar një dron, atëherë kjo nuk do të jetë forcë e suksesshme në vëzhgim të armëpushimit.