Bota

Afrojnë presidencialet në Bjellorusi/Çfarë pritet!

Në Bjellorusi, pas dy ditësh do të mbahen zgjedhjet presidenciale që janë dënuar nga Parlamenti Evropian dhe shumë ekspertë ndërkombëtarë. Nuk kanë dyshime se ato pritet të manipulohen nga regjimi i presidentit Alexander Lukashenko.

Presidenti Alexander Lukashenko vijon në pushtet që nga viti 1994. Më 26 janar, ai do të kandidojë për një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale në vend. Zgjedhjet e kaluara nuk u vlerësuan asnjëherë si të lira dhe të drejta nga komuniteti ndërkombëtar.

Këto zgjedhje ka shumë gjasa të jenë absolutisht të qeta dhe të tregojnë rezultate rekord në mbështetje të Lukashenkos. Mendoj se ai do të marrë rreth 87% ose më shumë mbështetje, thotë Alexander Friedman nga Universiteti Saarland.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi bllokoi një numër kandidatësh përpara zgjedhjeve, duke u siguruar që Alexander Lukashenko të mos ketë rivalë në votime.

Asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë para zgjedhjeve. Shtypja po vazhdon në Bjellorusi dhe po përkeqësohet, thotë Roza Turarbekava nga Universitet i Warwick-ut.

Turarbekava iu referua shtypjes që filloi në vitin 2020 pas zgjedhjeve presidenciale të atij viti e që shkaktuan protesta masive në të gjithë vendin.

Vendet perëndimore kanë vendosur vazhdimisht sanksione kundër regjimit të Lukashenkos dhe nuk e konsiderojnë atë një president legjitim të vendit.

Për shkak të pasojave të këtyre sanksioneve, regjimi i Lukashenkos është afruar me Rusinë, duke i lejuar presidentit Vladimir Putin të përdorë territorin bjellorus për të vendosur trupa ruse dhe organizuar sulme kundër Ukrainës.

Ekspertë si Turarbekava thonë se regjimi i Lukashenkos e ka kthyer Bjellorusinë në satelit të Moskës.

Në një zgjedhje mes vetes dhe vendit të tij, Lukashenko zgjodhi veten. Putini e shfrytëzoi dhe e bëri të varur nga Rusia në mënyrë që Lukashenko tani nuk mund t’i thotë jo asnjë kërkese të Putinit, vlerëson Roza Turarbekava nga Universitet i Warwick-ut.

Pas protestave kundër Lukashenkos të vitit 2020, autoritetet bjelloruse detyruan organizatat joqeveritare të mbyllen, së bashku me pothuajse të gjitha mediat e pavarura.

Gazetarët në një numër të madh u përballën me ndalime, arrestime, bastisje dhe akuza penale. Shumë prej tyre janë larguar nga vendi, duke kufizuar më tej mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të drejta.