Rajoni

AI: Serbia përdori teknologjinë e një kompanie izraelite për fushatë spiunazhi!

“Zyrtarë serbë instaluan programe spiunazhi në telefonat e dhjetëra gazetarëve e aktivistëve”, thekson Amnesty International në një raport të publikuar sot, duke cituar prova forenzike digjitale e dëshmi nga aktivistët që thanë se ishin hakeruar në muajt e fundit.

Në dy raste, softueri i ofruar nga kompania izraelite e mbikëqyrjes, Cellebrite DI Ltd, u përdor për të hapur telefonat. Programi spiun serb, i quajtur “NoviSpy” nga Amnesty, më pas realizoi foto të fshehta të celularëve, kopjoi kontaktet dhe i ngarkoi ato në një server të kontrolluar nga qeveria. Në disa raste, aktivistë dhe një gazetar raportuan shenja aktivitetesh të dyshimta në telefonat e tyre, menjëherë pas intervistave me policinë dhe autoritetet e sigurisë serbe.

Ministria e Brendshme e Serbisë, ajo e Jashtme dhe Agjencia e Inteligjencës, BIA, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, të bëra më 12 dhjetor.

Produktet e Cellebrite-it përdoren gjerësisht nga forcat e zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, për të zhbllokuar telefonat inteligjentë e për t’i hetuar për prova. Shefi i marketingut i Cellebrite-s, David Gee, tha se kompania po hetonte akuzat nga Amnesty.

Nëse këto akuza janë të sakta, ato mund të përbëjnë një shkelje të marrëveshjes sonë të licencës për përdoruesit. Nëse rezulton kështu, Cellebrite mund ta pezullojë përdorimin e teknologjisë së saj nga autoritetet serbe. Vendosja e softuerëve të mbikëqyrjes në pajisje, absolutisht që nuk është ajo bëjmë ne.

Cellebrite ka filluar të kontaktojë zyrtarët serbë, por refuzoi të japë detaje të mëtejshme. Një nga aktivistët e përmendur nga Amnesty në raport, tha se vuri re si kontaktet në telefonin e tij u eksportuan menjëherë, pas një takimi me BIA-n. Programi spiun NoviSpy eksportoi kontaktet e dërgoi foto private nga pajisja e tij, në një server të kontrolluar nga BIA.

Amnesty deklaroi se Serbia ka marrë pajisje për thyerjen e telefonave nga Cellebrite, si pjesë e një pakete më të gjerë ndihme për të ndihmuar Beogradin të plotësojë kërkesat për integrim europian.

Kjo paketë e financuar nga qeveria norvegjeze dhe e administruar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), iu ofrua Ministrisë së Brendshme të Serbisë nga viti 2017 deri më 2021-shin, për ta ndihmuar Serbinë në luftën kundër krimit të organizuar. Qeveria norvegjeze e ndaloi përkohësisht dërgimin e pajisjeve Cellebrite në Serbi në vitin 2018. Ambasada norvegjeze në Beograd gjithashtu ngriti shqetësime për programin.